Kreytari i Preshevës, Shqipërim Arifi, thotë se është injoruar nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës. Për këtë, ai akuzon Qeverinë në përgjithësi dhe thotë se “preshevari” i LVV-së, Liburn Aliu, është përgjegjës për qajen selektive në Luginë. Madje hedh hipoteza për arsyen e mosshpërndarjes së 2 milionë eurove për Luginën.
Në “Frontal të T7”, kryetari Arifi ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë Kurti, pasi dy përfaqësuesit e saj, Besnik Bislimi dhe Arbërie Nagavci, nuk e kanë vizituar komunën e Preshevës.
“Nuk ka pasur as kërkesë për takim. Precedent është kjo që ka ndodhur sot, për arsye se as në Qeverinë Rugova, as Thaci, as në qeveritë e mëhershme nuk kanë bërë të njëjtën që e kanë sot Lëvizja Vetëendosje”, ka thënë kryetari i Preshevës.
Sipas Arifit, ministri Liburn Aliu, si preshevar, po e shtyn një agjendë selektive.
“Është inat personal për shkak të ndërrimit të pushtetit lokal këtë vit. Liburn Aliu dhe Qeveria e Kosovës publikisht kanë dashur të ndërhyjnë në proceset demokratike në komunën e Preshëvës. Edhe kjo është precedent. Kjo është hera e parë që një Qeveri ndërhyn në këto procese”,
Sipas tij, pushteti ka inat dhe i pengon që ai është kryetar i Preshevës, e jo ish-kryetarja, që sipas Arifit, ka qenë e preferuara e Qeverisë Kurti për ta drejtuar komunën.
Ai ka thënë se akoma nuk u janë dhënë 2 milionë eurot e ndara për Luginën e Preshevës. Arifi hedh dyshime për arsyen që nuk po shpërndahen këto mjete.
“Jo vetëm që po ngjan, por ashiqare nuk po i dërgojnë 2 milionë eurot, për të cilat mendoj se kanë dashur t’i avullojnë një pjesë të madhe në drejtim të Liburn Aliut dhe Vetëvendosjes”, ka thënë kryetari i Preshevës.