image Kryetari i Odës së Hotelierëve: Çdo natë ka pasur dasma dhe ahengje, ndonëse janë ndaluar

Kosovë

Kryetari i Odës së Hotelierëve: Çdo natë ka pasur dasma dhe ahengje, ndonëse janë ndaluar

news image

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka thënë se nuk pajtohen as me masat e reja të propozuara, ndonëse të njëjtat i shohin si realizim i pjesshëm të kërkesave të tyre drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne kemi pasë takim dje në ministrinë e Shëndetësisë edhe të gjitha kërkesat të cilat i kemi paraqitur në një formë, kanë filluar të përshtaten. Me vetë faktin që ministri paraqiti disa lehtësime tregon që jemi dakorduar për disa masa të cilat duhet të jenë patjetër më të lehta. Për masat që janë aktuale nuk jemi pajtuar asnjëherë, për arsye se edhe studimi që po bëhet nganjëherë po bëhet ad-hoc.”

Të gjitha studimet që janë bërë nuk kanë qenë në përputhje me realitetin që është në terren, për arsye se çdo herë është thënë që gastronomia, hoteleria dhe veprimtaritë turistike janë vatër e përhapjes së COVID-19 derisa kur këto ishin të vetmet veprimtari që u kufizuan më tepër pamë se kishim mbi 3000 deri 4000 raste në ditë. Gastronomia dhe hoteleria nuk kanë qenë vatër e përhapjes së virusit. Nëse merr masa atëherë ato nuk duhet të jenë të pjesshme, sepse masat selektive nuk mund të japin rezultat”.

Sogojeva ka thënë se as në takimin e djeshëm me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Arsim Berisha, nuk ka marrë një arsyetim pse duhet të ketë orë policore.

“Pse ora policore? Edhe dje zëvendësministri nuk ka mundur të na shpjegojë pse duhet të ketë orë policore, sepse me orë policore po i jep mundësi popullatës ilegale që të grumbullohet në lokale edhe më të ngushta dhe të mbyllura që do të jepte kundërefekt.”

Ai ka thënë se shëndeti i popullatës është shumë me rëndësi, duke shtuar se po aq i rëndësishëm është edhe “shëndeti ekonomik”.

Sogojeva thotë se kanë kërkuar gjithmonë nga bizneset që të respektojnë masat e vendosura nga qeveria, edhe kur nuk janë pajtuar me to.

“Shëndeti është mbi të gjitha, por edhe shëndeti ekonomik është i rëndësishëm. Ka pasë mundësi kjo qeveri edhe qeveritë e tjera që marrin masa më të favorshme me të cilat ruhet edhe shëndeti edhe bizneset”, ka thënë ai në Klan Kosova.

“Shteti ka mekanizmat dhe inspektoratet e veta, prandaj ne kemi kërkuar gjithmonë dhe kërkojmë edhe sot që bizneset e gastronomisë jo të dënohen me 1000 ose 2000 euro, por atë lokal që nuk i respekton masat ta mbyllin në mënyrë që të tjerët të mësohen dhe të punojnë me rregulla.”

Kryetari i OHT-së ka thënë se kur kanë kërkuar lejimin e mbajtjes së ahengjeve ka dhënë garancën e tij se në sallat e dasmave do të respektohen të gjitha masat kundër COVID-19.

“I kemi diku mbi 400 salla të dasmave, veç llogariteni sa para të humbura janë me mbylljen e tyre. Ne i kemi garantuar që asnjë dasmor nuk mund të hyjë në sallë pa pasë të paktën dy vaksina. Kur unë jap garancionin, marr edhe përgjegjësinë.”

Gjithmonë e kemi potencuar që sa herë që merren vendime për lehtësim ose ashpërsim të masave duhet të konsultohemi, sepse ne e dimë terrenin. Unë po ju garantoj që ndonëse janë ndalë dasmat dhe ahengjet dhe janë mbyllur klubet e natës, për natë ka pasë dasma dhe ahengje dhe klube të natës që kanë punuar”, ka përfunduar ai./GazetaSinjali/