image Kryetari i AGK-së: Njerëzit në pushtet ta respektojnë profesionin e gazetarit

Kosovë

Kryetari i AGK-së: Njerëzit në pushtet ta respektojnë profesionin e gazetarit

news image

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit me moton “Mediat nuk janë armiku”.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha në një deklaratë për media ka thënë që ndodh shumë rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, ndërsa ka kërkuar që njerëzit në pushtet të respektojnë punën e gazetarit.

“Ndodh rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe presin një gjë të tillë. Por ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë”, theksoi Rexha.

Ndërkaq ai ka thënë që fuqia politike duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari.

“Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve sot duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare”, vijoi ai.

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, AGK-ja ka kërkuar që politikanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve, dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve.

/GazetaSinjali/