image Kryetarët e komunave të udhëhequra nga LVV mblidhen për t’i ndihmuar Kurtit në ndaljen e grevës së mësimdhënësve

Kosovë

Kryetarët e komunave të udhëhequra nga LVV mblidhen për t’i ndihmuar Kurtit në ndaljen e grevës së mësimdhënësve

news image

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu dhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj janë mbledhur sot.

I pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka shkruar në Facebook, se kryetarët e komunave që udhëhiqen nga LVV, janë të shqetësuar “me mosfillimin e vitit të ri shkollor në nivel vendi”.

“Sot bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, në konferencë për media kemi paraqitur shqetësimet tona lidhur me mosfillimin e vitit të ri shkollor në nivel vendi”, shkroi ai.

Në konferencën e mbajtur Bulliqi theksoi se ata iu kanë bërë thirrje prindërve që t’i dërgojnë nxënësit në shkollë si dhe mësimdhënësve që ta ndalin grevën.

“Nga kjo konferencë ne ju bëmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe apeluam tek mësimdhënësit që të jenë pjesë e procesit mësimor duke e ndalur grevën. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karrshi inflacionit”, njoftoi Bulliqi.

Para pak ditësh ministri i Financave, Hekuran Murati njoftoi se është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit. Kryeministri Albin Kurti thotë se njerëzit “nuk duhet të paguhen për mospunën”, ndërsa i ftoi mësimdhënësit të paraqiten në shkollë të hënën.

Ndryshe, edhe presidentja Vjosa Osmani po mundohet të ndërmjetësojë mes Qeverisë dhe sindikatave, në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje për këtë situatë.

/GazetaSinjali/