image Kryetarët e komunave takohen sot me Hotin dhe dy ministra

Kosovë

Kryetarët e komunave takohen sot me Hotin dhe dy ministra

news image

Kryeministri Avdullah Hoti sot në orën 11:00 do të takohet me kryetarët e komunave.

Mbrëmë, përmes Facebookut, kryeministri tha se do të kërkojë dakordimin me të gjithë kryetarët e komunave për disa çështje.

“Në orën 11, bashkë me ministrat përkatës, takohem me të gjithë Kryetarët e Komunave për tu dakorduar me ta për mbështetjen financiare të Qeverisë ndaj komunave për menaxhimin e pandemisë, përgatitjet për fillimin e mësimit dhe analizimin e efektit të masave mbrojtëse ndaj covid-19”, ka shkruar ai.

Të premten në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Hoti njoftoi se bashkë me zëvendëskryeministrin Goran Rakiq do t’i njoftojë kryetarët mbi fondet që janë ndarë për komunat.

“Ftoj në këtë takim edhe ministrin e Arsimit dhe ministrin e Shëndetësisë. Do t’i kemi tri tema për diskutim”, tha ai përveç tjerash në këtë mbledhje.

Ndërsa drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka konfirmuar se në këtë takim do të diskutohen fillimi i procesit mësimor, kriteret dhe shpërndarja e 10 milionë eurove në komunat e Kosovës si përkrahje në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ai ka thënë se komunat janë të gatshme sa i përket fillimit të procesit mësimor të këtij viti, ndarjen në grupe të caktuara apo për çfarëdo skenari do që të përdoret. /Gazeta Sinjali