Kryetarët e komunave të Kosovës nuk do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku do të diskutohet për situatën epidemiologjike në vend.
Kjo është bërë e ditur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, përmes një postimi në Facebook, ku thuhet se arsyeja e mospjesëmarrjes është se AKK-ja, si përfaqësuese e komunave nuk është ftuar në takim.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pas konsultimit me kryetar të komunave ka vendosur që të kërkojë nga Kryetarët e Komunave të MOS marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për ditën e sotme në ora 14:00 për të diskutuar për situatën epidemiologjike në Kosovë. Arsyeja është që AKK-ja si përfaqësues dhe trup i komunave nuk është ftuar në këtë takim. MAPL-ja ka ftuar vetëm Kryetarët”, thuhet në këtë postim.
AKK thotë se mosftesa ka qëllime përçarësve në mes AKK-së dhe kryetarëve të komunave.
“Kryetarët e Komunave vlerësojnë se uniteti i Kryetarëve është i domosdoshëm dhe që të gjithë Kryetarët do të mbeten të bashkuar si pushtet lokal që të ruhet ajo që është ndërtuar për më shumë se dy dekada në përfaqësimin e denjë të qeverisjes lokale ndaj nivelit qendror. Kryetarët vlerësojnë që pa AKK-në nuk duhet të marrim pjesë në këtë takim meqë nuk është hera e parë që niveli qendror vepron në këtë mënyrë”, thuhet në postimin e AKK-së.
Sipas AKK, ky asociacion është i Komunave dhe Ministritë duhet ta shohin atë si aleat e jo ta injorojnë. Nëse ministritë e injorojnë AKK-në, sipas këtij postimi me automatizim injorohen vetë Kryetarët dhe Komunat e Kosovës.
“Vlen të ceket që para një kohe AKK-ja është larguar në mënyrë arbitrare nga komiteti anticovid si dhe ditë më parë Qeveria e Kosovës miratoi plotësim ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale pa konsultime me Kryetarët e Komunave. I bëjmë thirrje MAPL, Ministrive dhe Qeverisë që të ndalojnë injorimin e AKK-së si përfaqësues i Kryetarëve dhe Komunave në Republikën e Kosovës” thuhet tutje në postim.