Kryetarët e disa komunave të Kosovës janë mbledhur urgjentisht në shtëpinë e tyre në Asociacionin e Komunave të Kosovës, pasi që Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar pagat për sektorin publikë.
Kryetari i AKK-së njëherit edhe kryetar i Ferizajt nga PDK-ja, Agim Aliu, tha se si kryetar komunash, kanë pritur që Qeveria të mundësonte që më 1 shtator të fillonte mësimi, por se ka munguar komunikimi dhe dialogu.
“Nga sot, nga këtu apelojmë që të gjenden të gjitha rrugët që të zhvillohet dialogu mes Qeverisë dhe BSPK-së, në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe greva të përfundojë, dhe që të gjitha institucionet të kthehen në normalitetin dhe punën e tyre”, tha Aliu.
Ndërsa kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se duhet të paditen përgjegjësit për mosekzekutim të pagave.
“Duhet padi për përgjegjësit që nuk i kanë ekzekutuar pagat. Qeveria nuk do të guxojë të mos ekzekutojë pagat, sepse ne nuk kemi dorëzuar lista në Qeveri, e as që na ka thënë të dorëzojmë lista”, tha Lladrovci.
Ai shtoi se i kanë treguar Qeverisë se nuk mund t’i dorëzojnë listat, pasi vetë zyrtari që i bën listat është në grevë.
E kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se mesazhi i tij dhe i kolegëve të tij duhet të jetë që Qeveria dhe BSPK të ulen sa më parë dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën.