Gjatë ditës së djeshme është ndarë nga jeta ish-kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.
Kurse, sot kryesia e Degës së LDK-së në Istog në mbledhje kanë mbajtur një minutë heshtje për punën dhe veprën e Rugovës.
Po ashtu, në këtë mbledhje është koordinuar për aktivitetet e varrimit të Haki Rugovës.
Haki Rugova i lindur më 23.02.1957 në Istog, ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga formimi i saj në vitin 1989.
Rugova, pas vdekjes së veprimtarit tjetër të LDK-së që udhëhiqte me me Istogun, Fadil Ferati, mori ‘në duar’ Komunën, duke bërë kështu që e gjithë karriera e tij politike të fokusohej aty, shkruan Gazeta Sinjali.
Që nga viti 2010 e deri në vitin 2021, Rugova do ta drejtonte Istogun për tri mandate radhazi, me ç’rast kjo komunë u bë bastion i pathyeshëm për vendlindjen e themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugovës.
Suksesi i tij në zgjedhjet lokale që mbaheshin në Kosovë, i hapi rrugë edhe për t’u ngjitur në majat e partisë.
Gjatë kohës kur Isa Mustafa e udhëhiqte LDK-në, Rugova ishte një nga nënkryetarët e partisë.