Enver Bajrami ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeredaktorit në RTK3.
Menaxhmenti i RTK-së, në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesën e tij, të parashtruar më 02.04.2022, për lirimin nga përgjegjësia e të autorizuarit për pozitën e lartpërmendur.
Kjo kërkesë ka ardhur pasi ai e ka pranuar “përgjegjësinë profesionale dhe morale” pas publikimit të një lajmi të paverifikuar në edicionet e lajmeve, më 1 prill.
“Menaxhmenti i RTK-së vlerëson punën dhe angazhimin e deritashëm të Bajrami ashtu sikurse reflektimin e tij profesional sa i përket këtij lëshimi editorial”, thuhet në njoftimin për media të RTK-së.
RTK-ja ka thënë se do të mbetet e përkushtuar për vendosjen e një standardi të ri të përgjegjësisë dhe llogaridhënies me qëllim të ngritjes së imazhit si Transmetues Publik.
RTK më datë 1 prill ka rënë pre e një lajmi, ku thuhej se kryeministri shqiptar, Edi Rama do zë zgjidhej sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Krejt kjo ka ardhur nga deklarata e akademikes gjermane, Suzana Starikov, por këtë “informatë” ajo e kishte dhënë në kuadër të ditës së rrenave të 1 prillit.