image Kryeprokurori special takon përfaqësuesit e KFOR-it Britanez, diskutojnë për sigurinë

Drejtësi

Kryeprokurori special takon përfaqësuesit e KFOR-it Britanez, diskutojnë për sigurinë

news image

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, është takuar sot me përfaqësues të Task Forcës Britaneze të KFOR-it në Kosovë.

Nga Prokuroria Speciale njoftojnë se kryeprokurori Isufaj dhe përfaqësues të Task Forcës Britaneze të KFOR-it, gjatë takimit të sotëm kanë biseduar për nevojën e koordinimit në mes të institucioneve të sigurisë në vend, për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe intensifikimit të takimeve të përbashkëta për funksionimin, punën dhe angazhimin e institucionit të Prokurorisë Speciale.

Përfaqësuesit e Task Forcës Britaneze të KFOR-it, kanë shprehur gatishmërinë për të siguruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët, ndërkohë që po vazhdojnë të monitorojmë nga afër situatën e sigurisë, si dhe kanë ofruar bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Kryeprokurori Isufaj ka theksuar përkushtimin për të koordinuar veprimet institucionale që garantojnë sundimin e rendit dhe ligjit. Me këtë rast Isufaj, ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për angazhimin e vazhdueshëm të Task Forcës Britaneze të KFOR-it, si dhe i falënderoi për kontributin e tyre në forcimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

/GazetaSinjali/