Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, beson është e mundur një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë, por thotë se për këtë duhen udhëheqës të guximshëm dhe me vizion.
Ajo thotë se, si kryeministre, nuk do ta nënshkruante njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Këtë deklaratë kryeministrja serbe e tha kur u pyet nga gazetarët, nëse do të nënshkruante njohjen e pavarësisë së Kosovës, ajo u përgjigj duke thënë shkurt: “Jo”, raporton media serbe.
Siç shpjegoi Bërnabiq, “në këtë fazë, BE dhe ShBA nuk kanë thënë se nuk ka anëtarësim në BE pa njohjen e Kosovës, por se nuk ka anëtarësim pa një zgjidhje afatgjatë të çështjes së Kosovës”.
Bërnabiq theksoi se Serbia është e angazhuar për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë dhe se “interesi i vendit tonë është paqja dhe stabiliteti, si dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian”.
“Gjetja e një kompromisi që do të siguronte paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm dhe rruga jonë evropiane janë në interesin e Serbisë, sepse ato do të sigurojnë që ne të vazhdojmë të forcohemi ekonomikisht”, deklaroi kryeministrja e Serbisë.
Ajo vlerësoi se në Prishtinë nuk ka udhëheqës me vizion dhe guxim.
“Është e mundur që ne të humbasim shansin historik për shkak të kësaj, i cili nuk do të na shfaqet përsëri për një kohë të gjatë. Megjithatë shpresoj se nuk do të ndodhë”, shtoi Bërnabiq./GazetaSinjali/