Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar se në Kosovë nuk ka ndodhur gjenocid gjatë luftës në vitin 1999.
Pyetur nga “EuroNews Albania”, në Forumin e Prespës për Dialog, për viktimat e luftës në Kosovë, ajo është shprehur se numrat që përmenden vazhdimisht nuk ekzistojnë, sepse sipas saj, krimet nuk kanë ndodhur.
“Në Kosovë dhe ‘Metohi’ nuk ka ndodhur gjenocid. Nuk ka asnjë dënim apo rast që lidhet me këtë gjë. Territori i Kosovës dhe ‘Metohisë’ deri sot është një prej territoreve post konflikti, me më së paku persona të kthyer nga gjithë zonat e pas luftës në botë. Në vitin 2014 kishte një masakër. U rrënuan kisha e manastire, u vranë 8 serbë dhe janë dëbuar thuajse gjithë serbët nga territori i jugut të Ibrit, është bërë pastrim etnik i qyteteve. Prishtina, Gjilani, Gjakova dhe të tjerë“, tha Bërnabiq.
Pak javë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq bëri betimin për mandatin e tij të dytë presidencial, ku theksoi se do e mbronte siç e quan ai, Kosovën dhe Metohinë, e që i cilësoi si pjesë të territorit të Serbisë.