Temë diskutimi në takimin në mes kryeministrit të Kosovës dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde ishte bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes Gjermanisë dhe Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Takimi me ambasadorin, Rohde erdhi pas takimit të mbajtur në Tiranë me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, dhe diskutimin për çështje bilaterale dhe regjionale.
“Kryeministri Kurti e vlerësoi vullnetin e shprehur nga kancelarja Merkel për të shtuar bashkëpunimin në rajon, gjithnjë në frymën e integrimeve në Bashkimin Evropian. Po ashtu u bisedua edhe për mbarëvajtjen e mbledhjes së sotme të përbashkët të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Në komunikatë gjithashtu thuhet se kryeministri Kurti theksoi se kjo mbledhje e parë është shprehje e gatishmërisë dhe interesimit për të shënuar një fazë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe realizimit të qëllimeve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor si rajon i paqes së qëndrueshme, sigurisë afatgjate, demokracisë dhe zhvillimit socio-ekonomik. /GazetaSinjali/