image Kryeministri italian prezanton planin e ri, ja çfarë do të ndodhë me bizneset dhe shkollat

Botë

Pandemia/ Kryeministri italian prezanton planin e ri, ja çfarë do të ndodhë me bizneset dhe shkollat

news image

Kryeministri italian Giussepe Conte në një intervistë për “La Repubblica” ka bërë të ditur masat e reja lehtësuese të vendit. Ai ka njoftuar se me dekretin e ri një pjesë e madhe e industrive dhe bizneseve do të hapen duke filluar nga 4 Maji, gjithmonë duke treguar shumë kujdes.

“Ne po punojmë për të lejuar hapjen e një pjese të mirë të bizneseve në datën 4 Maj. Ne nuk mund ta zgjasim më tej këtë bllokim…do të rrezikonim të dëmtojmë seriozisht strukturën socio-ekonomike të vendit”, është shprehur Conte.

Përsa i përket institucioneve arsimore, kryeministri ka njoftuar se nxënësit dhe studentët do e mbyllin vitin me mësim online dhe shkollat do të hapen vetëm në Shtator, kur të fillojë viti i ri akademik.

Conte ka treguar se qeveria po përgatit një plan për ringritjen e turizmit, i cili është një ndër sektoret më të prekur nga Covid19. Po ashtu ai ka bërë me dije se në dekretin e ri do të përfshihen ndihma për prindërit që kanë fëmijë në shtëpi si psh pushim dhe bonus.

Kujtojmë se deri më tani Italia është vendi i tretë në botë për numrin më të lartë të personave të infektuar (195.351) dhe i dyti për numrin e viktimave. 26.348 persona kanë humbur jetën në Itali./ Gazeta Sinjali/