image Kryeministri Hoti tregon se cilat vendime u morën në mbledhjen e sotme të qeverisë

Politikë

Kryeministri Hoti tregon se cilat vendime u morën në mbledhjen e sotme të qeverisë

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të qeverisë janë marrë vendime të cilat kanë për synim riaktivizimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Këto vendime lidhur me lehtësimin e masave, Hoti thotë se janë marrë bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Krahas nevojës për riaktivizim të të gjithë sektorëve të ekonomisë, jetët e qytetarëve dhe shëndeti publik mbeten prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pakujdesia për të parandaluar përhapjen e virusit në ditët e fundit, ka vënë në rrezik jetët e shumë qytetarëve! Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komisionit Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj #COVID19, sonte në mbledhjen e Qeverisë, kemi marrë vendim që të vazhdojmë me lehtësimin e masave”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti se rifillimi i transportit ajror dhe hapja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të bëhet nën masa të shtuara të sigurisë, për të cilët Ministria e Infrastrukturës është obliguar që t’i kompletojë udhëzimet administrative dhe protokollet e operimeve të transportit ajror.

“Me vendimin e aprovuar sot nga kabineti qeveritar rifillon transporti ajror dhe hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ”Adem Jashari” për vijat e rregullta të domosdoshme, me masa të shtuara të sigurisë, duke pasur prioritet shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. Obligohet Ministria e Infrastrukturës që të kompletojnë Udhëzimet administrative të Agjensionit të Aviacionit, protokollet e operimeve të transportit ajror, bazuar në mënyrë strikte në protokollet e EASA (Agjencia për Siguri në Aviacion e Bashkimit Evropian), rekomandimet e IKSHPK-së dhe Manualin për mbrojtjen nga COVID-19”, ka shkruar tutje Hoti.

Kryeministri Hoti bën të ditur se me vendimin për rifillimin e tranportit ajror është vendosur që udhëtarët që hyjnë në Kosovë rekomandohet të kenë rezultatin negativ të testit për koronavirus, jo më të vjetër se katër ditë.

Në fund, Hoti apeloi që qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Luteni që vazhdimisht t’i keni parasysh masat obligative për mbrojtje:

● Vendosni maska gjatë gjithë kohës në hapësira publike

● Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të papastërta

● Pastroni dhe dezinfektoni shpesh objektet dhe sipërfaqet e prekura siç janë tavolinat, tastierat, telefonat, parmakët dhe rezat e dyerve

● Mbajeni distancën fizike

KUJDES! Rreziku është real”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/