image Kryeministri Hoti paralajmëron mbyllje totale në Kosovë

Politikë

Kryeministri Hoti paralajmëron mbyllje totale në Kosovë

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron se vendi po shkon përsëri drejt mbylljes totale, për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus ditëve të fundit.

Kreu i qeverisë në një intervistë për REL, u shpreh se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.

Avdullah Hoti tha se jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, duke përfshirë edhe mbylljen totale.

“Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”, u shpreh ai.

Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve dhe jo vetëm, por sipas tij, primare është “ruajtja e shëndetit publik”.

Po ashtu, kryeministri Hoti kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e negociatave me Serbinë.

“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur këtë të dytën”, theksoi ai.

Ndërkaq, Hoti vazhdoi tutje se zhvillimet që lidhen me Gjykatën Speciale duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera. /Gazeta Sinjali/