Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se kjo është dekada e shpresës dhe ndryshimit, ku shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre.
“Startimi në këtë dekadë të re është një mision i madh dhe i pakthyeshëm. Është një mision që nuk e ndal dot asnjë, autokrat, burokrat i korruptuar, oligark, kriminel, trafikant a kushdo qoftë, pasi përballë nuk ka as një, as dy, as pesë e as dhjetë, por shumicën absolute të shqiptarëve, që janë ngritur në këmbë për të rifituar Shqipërinë që po përpiqen t’ua grabisin”, tha Kryemadhi, në Konventën e LSI-së për Tiranën, raportojnë mediat shqiptare.
“Kjo dekadë do të flakë tej Rilindjen e shëmtisë politike dhe morale, Rilindjen e shpërbërësve të familjes, Rilindjen e tradhtarëve të Kombit dhe do të ngrejë lart atdhetarët e vërtetë, të rinjtë e talentuar, burrat dhe gratë që mbajnë mbi shpatulla ekonominë e vendit dhe të familjeve të tyre. Do të ngrejë lart talentin dhe dijen e shqiptarëve me të cilët ne krenohemi dhe që sot kemi aq shumë nevojë. Tashmë ka ardhur më në fund dita që të ringremë shpresën dhe besimin dhe të rivendosim në piedestal dinjitetin njerëzor”, thekoi më tej ajo.
Gjatë fjalës së saj, zonja Kryemadhi po ashtu sulmoi kryeministrin edhe për Mini Shengenin Ballkanik, për të cilin tha se është tradhti ndaj Kosovës.
“Boja i ka dalë edhe karagjozllëkut dhe vulgaritetit të Edi Ramës, që e shiste si modernizëm. Ne e mirëbesuam dhe me pas e nënvlerësuam si përpjekje të tij për të mbuluar padijen apo gabimet. Në fakt ajo ishte fasada e një plani të detajuar dhe të mirorganizuar,së bashku e i lidhur me një grusht njerëzish të fuqishëm dhe që rrënjët e tyre shtrihen në lobet antishqiptare”, tha ajo.
Sjellja e tij ndaj Kosovës, është qartësisht antishqiptare: nuk mund të quhet ndryshe një politikë paternaliste ndaj Kosovës kur ky shtet i ri po forcon reputacionin e tij ndërkombëtar nuk mund të quhet ndryshe promovimi i shkëmbimit të territoreve midis Kosovë dhe Serbisë që copëton jo vetëm Kosovën, por i vë zjarrin gjithë rajonit. Apo fishekzjarrët e tij demagogjike për Shqipërinë e Madhe, kur Kosova është në kulmin e përpjekjeve të saj për anëtarësim në organizata rajonale e ndërkombëtare si dhe për njohje të reja; nuk mund të quhet veçse antishqiptare një politikë presioni ndaj Kosovës për çështje të rëndësishme të marrëdhënies së saj me Serbinë, si ajo e taksës. Nuk mund të quhet ndryshe angazhimi në nisma rajonale, jo-transparente, pa qëllime e objektiva të qarta, si e ashtuquajtura Mini-Shengen, duke përjashtuar dhe tradhtuar Kosovën jashtë, e duke fyer publikisht udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës. Po ndodh në kohën e Edi Ramës, që është zyrtarisht edhe ministër i jashtë i Shqipërisë, që disa vende po tërheqin njohjet për Kosovën. Ndërkohë, që miku më i ngushtë në rajon i tij është Aleksandër Vuçiç, që është arkitekt i revanshit kundër Kosovës”, tha ajo.