Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako, ka dhënë dorëheqjen këtë të diel me një postim në rrjetin social, Facebook.
Sako shkruan se është lënduar nga reagimi negativ që mori për shkak të një prononcimi që bëri mbrëmjen e djeshme dhe i cili u konsiderua si një gafë e rëndë e saj.
“E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës. Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve”, shkruan ajo.
“Ky ishte një tërmet shkatërrimtar. Por, të jemi të kënaqur edhe me 50 viktima pasi në raste të tjera kanë qenë mbi 100 viktima”, ishin fjalët e Sakos.
Deklarata e saj ka bërë xhiron e rrjetit dhe publiku ka reaguar ashpër ndaj saj, me mendimin se do shkaktonte dhimbje të madhe te familjarët e viktimave, e jo vetëm./ Gazeta Sinjali/