image KRU "Prishtina" u bën thirrje konsumatorëve që t'i paguajnë borxhet

Kosovë

KRU “Prishtina” u bën thirrje konsumatorëve që t’i paguajnë borxhet

news image

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, u bën thirrje të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë, që brenda 15 ditësh, duke filluar nga sot, t’i përmbyllin obligimet e tyre financiare për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit për vitin 2020, me theks të veçantë sektori i amvisërisë dhe bizneseve të vogla e të mëdha, shkruan Gazeta Sinjali.

“Konsumatorët kanë obligim ligjor që, të paguajnë faturat mujore si dhe borxhin e akumuluar të ujit të shpenzuar”, thonë nga KRU Prishtina.

Gjithashtu, kompania falënderon të gjithë konsumatorët për pagesa të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe fton qytetarët që të jenë sa më të rregullt në pagesa.

“Vetëm në këtë mënyrë mund t’u shmangen ndëshkimeve të kompanisë, gjegjësisht procedimit të lëndëve te Përmbaruesit Privatë. Po ashtu, Kompania u ka ofruar bashkëpunim dhe lehtësira të ndryshme për pagesën e borxheve të mëdha të akumuluara ( 10 % të borxhit total dhe pjesën e mbetur pagesë me këste mujore deri në 36 muaj). Çdo pagesë që ju e bëni për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, do të iu kthehet në investime afatgjate duke e përmirësuar në vazhdimësi çdo shërbim që ndërlidhet me ujin dhe kanalizimin”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

/Gazeta Sinjali/