Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se nga mostrat e ujit, të marra në Deçan më 12 korrik, janë identifikuar disa baktere, shkruan Gazeta Sinjali.
E për këtë vendim ka reaguar KRU ‘Hidrodrini’, ku përmes një postimi në rrjetin social Facebook thuhet se pas raportit të sotëm të IKSHPK-së dhe 10 rekomandimeve që kanë dalë nga ky raport, kompania ka urdhëruar të gjitha Njësitë Operative të Zonës së Mbulueshmërisë, që nga mëngjesi të fillojë zbatimi i rekomandimeve të reja.
“Ne lusim IKSHPK-në, që të ofrojë sqarime shtesë se cilat mostra të ujit janë marrë, pra a bëhet fjalë për mostra nga sistemi i KRU ‘Hidrodrini’”, thuhet tutje në reagimin e Hidrodrinit.
Nërkaq, kompania njofton se pas rekomandimeve të publikuara, KRU ‘Hidrodrini’ ka ngritur tre ekipe specifike profesionale siç janë; ekipi i kualitetit të ujit në të gjitha pikat e kontrollit, (ku do të ri-kontrollohet për klorinim), ekipi i kontrollit dhe identifikimit të bunareve të cilat janë kyçur paralelisht në sistemin përkatës dhe ekipi i inspektimit të gropave septike apo të ndonje rrjeti të ujërave fekal.
Kujtojmë se kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se kompania ujësjellësit “Hidrodrini” nuk do ta ketë më në menaxhim Deçanin./GazetaSinjali/