image Kroacia shënjestron Shqipërinë për ndotjen e Adriatikut me qese plastike

Rajon

Kroacia shënjestron Shqipërinë për ndotjen e Adriatikut me qese plastike

news image

Qeset plastike që hidhen në detin Adriatik në Shqipëri janë kthyer në shqetësim për Kroacinë. Deputeti kroat në Parlamentin Europian, Karlo Ressler i ka drejtuar një letër Komisionit Europian lidhur me problematikën e ndotjes me qese dhe ndotje të tjera plastike të Adriatikut nga Shqipëria.

“90% e ndotjeve plastike dhe ndotjeve të tjera që gjenden në brigjet e Kroacisë vijnë nga Europa Jugore dhe kryesisht Shqipëria” shprehet Ressler në këtë letër.

Sipas Ressler, për më tepër, 229 mijë tonë plastikë përfundojnë çdo vit në detin Mesdhe dhe për shkak të ndikimit të rrymave dhe cektësisë relative të detit, të cilat pasi kalojnë përmes ngushticës së Otrantos, shpesh përfundojnë në Kroaci, shkruan abcnews.al, përcjell Sinjali.

Qeveria shqiptare njoftoi se do të kryhej një hetim në dhjetëvjeçarin e fundit për ndotjen plastike nga Shqipëria, që përfundojnë në bregdetin kroat, por nuk u arrit asnjë përfundim” tërheq vëmendjen Ressler në letrën e tij drejtuar Komisionit Europian.

Ai shpjegon, se Kroacia është një vend i varur nga turizmi i cili është i njohur për ruajtjen dhe natyrën e jashtëzakonshme të bukurisë së saj natyrore dhe po përballet me një problem serioz që nuk mund ta zgjidhë vetë. Në letër thuhet, se gjeografikisht, zona më e goditur nga ndotjet plastike është Dubrovniku, një destinacion turistik i njohur globalisht, si dhe pjesë të tjera të qarkut Dubrovnik-Neretva, apo parku kombëtar Mljet dhe Delta e Neretvës, prej të cilave kjo e fundit ka qenë nën mbrojtjen e UNESCO-s që nga viti 1992.

Ressler ve në qendër respektin dhe mbrojtjen e detit nga banorët e këtyre zonave.

Banorët e këtyre zonave kanë jetuar për shekuj buzë detit, nga deti dhe me detin, duke trashëguar respektin dhe njohjen e nevojës për t’u kujdesur për detin nga brezat e mëparshëm” shprehet Ressler.

Ai kërkon që Komisionit Europian të ndërhyjë për ndalimin e ndotjeve plastike në detin Adriatik nga Shqipëria dhe mbrojtjen e tij në kuadrin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe programeve evropiane mjedisore.

Karlo Ressler është anëtari i delegacionit në komitetin parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

/GazetaSinjali/