image Kroacia dërgon ushtarë në Kosovë, presidenti kroat dhe ministri i Mbrojtjes përplasen për organizimin

Rajon

Kroacia dërgon ushtarë në Kosovë, presidenti kroat dhe ministri i Mbrojtjes përplasen për organizimin

news image

Në kazermën e Brigadës 132 të Ushtrisë Kroate në Nashice është mbajtur lamtumira ceremoniale e Kontingjentit të 36-të Kroat (HRVCON) për operacionin e KFOR-it në Republikën e Kosovës. 130 anëtarë të Ushtrisë Kroate, përfshirë gjashtë gra, po dërgohen në Kosovë.

Mënyra e organizimit të kësaj ngjarjeje i ka përplasur presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq dhe ministrin kroat të Mbrojtjes, Mario Banozhiq.

Gazetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë në ceremoninë në kazermë në kohën kur u paralajmërua ngjarja me ftesë të Ministrisë kroate të Mbrojtjes dhe në hyrje u tha se mediat nuk mund të hyjnë.

Në ceremoni mori pjesë vetëm presidenti i Kroacisë dhe komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Kroacisë, Zoran Milanoviq.

I pranishëm është dashur të ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Mario Banozhiq, por në momentin e fundit ai e ka anuluar pjesëmarrjen, raporton N1.

Me të mbërritur para kazermës, shoferi i ministrit të Mbrojtjes e ktheu veturën dhe u kthye. Ministri kroat i Mbrojtjes ka njoftuar në Facebook se ka anuluar vizitën e tij në kazermë.

“Ushtria kroate është mbi të gjithë ne politikanët. Ne jemi të gjithë kalimtarë… Unë nuk shkova në kazermën Nashice ”132. Brigada HV” për ta përcjellë kontingjentin e 36-të kroat në operacionin e NATO-s – KFOR-it sepse nuk dua të marr pjesë në lojën e një zotërie që fatkeqësisht nuk i kupton dy fjalitë e para të këtij njoftimi. U uroj anëtarëve të kontingjentit të 36-të kroat rrugëtim të mbarë dhe mision të suksesshëm. Shihemi së shpejti”, ka shkruar ministri kroat, Mario Banozhiq në Facebook.

Në të majtë, ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Banozhiq dhe në të djathtë, presidenti kroat, Zoran Milanoviq

Dje, Ministria kroate e Mbrojtjes u dërgoi ftesë mediave që të shkonin në kazermë dhe ta ndiqnin ngjarjen.

Një orë më vonë, mediat morën njoftim nga Zyra e Presidentit kroat se në kazermën e “Brigadës 132” në Nashice do të vinte komandanti suprem Zoran Milanoviq, duke theksuar se “pjesëmarrja e mediave në ceremoninë e lamtumirës nuk është planifikuar”, shkruan gazeta kroate, Jutarnji.

“Për ngjarjen do ta informojmë opinionin me një komunikatë për media dhe foto”, u tha në njoftimin zyrtar të Zyrës së Presidentit kroat.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, duke iu drejtuar mediave jashtë kazermës, tregoi një arsye që s’u lejua të futen brenda gazetarët.

“Pse e bëra këtë? Për shkak se pas eksperiencës kam vendosur që nuk do të bëhet më asnjë deklaratë në rrethin e kazermës, dua që të mbrohet nga politika ditore”, tha Milanoviq, shkruan mediumi kroat, Dnevno./GazetaSinjali/