Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut, ka bërë të ditur se në Kosovë ka mungesë të gjakut, si pasojë e pandemisë COVID-19.
E pas këtij njoftimi, shumë qytetarë mësynë objektit të Transfuzion të Gjakut për të dhuruar gjak.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi, tha se në këtë kohë të pandemisë ky institut ka pasur mungesë të gjakut dhe si e tillë janë në gjendje kritike sa i përket rezervave të gjakut.
“Po dhurimi i gjakut duhet të vazhdohet edhe përkundër kohës së pandemisë që jemi, ku kjo kohë është me specifika të caktuara dhe ka kërkesa të caktuara për dhurimin e gjakut. Dhurimi i gjakut ndryshon prej kohës kur kemi dhënë në kohë të zakonshme e tash në kohë të pandemisë”.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet, është që duhet të kemi dhurim të vazhdueshëm të gjakut, sepse gjaku nuk mund të qëndrojë përjetësisht, edhe përkundër rezervave të mëdha të gjakut të cilën e kemi pasur në dispozicion, ajo është harxhuar dhe kemi mbërritur në fazën kur kemi arrit në gjendjen e stokut jashtëzakonisht të ulët dhe në gjendje kritike dhe për këtë arsye kemi bërë apel për të dhuruar gjak”, tha Zhubi.
Ismet Fejzullahu nga Podujeva posa ka marrë vesh për mungesë të gjakut, ai iu është përgjigjur pozitivisht, i cili ka dhuruar gjak për të 23 herë.
“Ftesa që e bëri Transfuzionit i Gjakut për të dhuruar gjak në këtë kohë pandemie, pranova me kënaqësi edhe si vullnetar i vazhdueshëm i dhurimit të gjakut, poashtu edhe sot iu përgjigja ftesës. Më sa më kujtohet është e 23 herë që dhuroj gjak”, tha ai.
Edhe Ylldin Uglari nga Vushtrria, tha se ndihet mirë sa herë që dhuron gjak.
“Është hera e dytë që dhuroj gjak edhe bej apel gjithë ata që kanë mundësi dhe që e ndiejnë vetën mirë që të dhurojnë gjak, se vërtetë dikush ka nevojë për gjak dhe ne duhet t’iu dalim në ndihmë”, tha ai.
Pozitivisht ftesës iu përgjigj edhe Edmond Halili mjek-kardiolog në QKUK. Tha se me dhurimin e gjakut, njeriu ndihet mirë shpirtërisht dhe organikisht.
“Po ndihem shumë mirë. Është hera e dytë që po dhuroj gjak. Është diçka që shpirtërisht dhe organikisht njeriu ndihet mirë dhe në këtë kohë iu përgjigjëm thirrjes që Transfuzioni i Gjakut ka nevojë për rezerva të gjakut, dhe si duket kanë pasur kapacitete të limituara gjatë kohës së pandemisë, dhe iu përgjigjëm ftesës”, tha ai.
Edhe Xhemajl Shala një vullnetar i dhurimit të gjakut ka thënë se porsa ka marrë vesh për mungesë të gjakut, iu është drejtuar transfuzionit për të dhuruar.
Shala ka bërë apel tek të gjithë ata me shëndet të mirë që të dhurojnë gjak, raporton EO.
“Jam vullnetarisht gjak dhe tash e lexova nëpër medie se kanë nevojë për gjak, dhe erdha për të dhuruar gjak. Iu bëj apel te të gjithë kush ka mundësi që të vjen të dhurojë gjak sepse po e shoh se paskan nevojë për gjak dhe kishte me qenë mirë të gjithë sipas mundësive”, tha ai./Gazeta Sinjali/