Qeveria e Republikës së Kosovës, në formë elektronike, sot ka mbajtur mbledhjen e 49-të të saj, në të cilën janë miratuar dy vendime.
Vendimi i parë i miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë përmes të cilës Pakos së Ringjalljes Ekonomike i shtohet masa 3.7, — Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, që do të shfrytëzohet për të subvencionuar importin e energjisë elektrike.
Vendimi i dytë është miratuar pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 3.7, të aprovuar në vendimin paraprak.
Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej njëzet milionë euro për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se “Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te Ndërmarrja Publike KEK Sh.A. dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës”,/GazetaSinjali/