Kosova dhe kriza e përshkallëzuar energjetike në vend mund ta rrezikojë furnizimin e gjithë Evropës, ka paralajmëruar Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E).
Shumica e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra me qymyr, dhe normalisht vendi importon 10-15% të energjisë elektrike, por kjo shifër është rritur në 40% gjatë krizës aktuale.
“Si pasojë, Kosova po importon energji që nuk ishte planifikuar në tregje”, i tha Reuters-it me email ENTSO-E, ky Rrjet i cili përfaqëson operatorët e transmetimit të energjisë elektrike në mbarë Evropën.
Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), i është kërkuar që ta mbajë të ekuilibruar sistemin e energjisë elektrike.
“Operatorët e Sistemit të Transmisionit në Grupin Rajonal të ENTSO-E për Evropën Kontinentale (RGCE) i kërkon KOSTT-it (operatorit të sistemit të transmisionit të Kosovës) ta mbajë në ekuilibër sistemin e tyre kombëtar të energjisë elektrike, i cili është detyrim thelbësor kontraktual ndaj OST-ve të tjera në Evropën Kontinentale”, kanë thënë nga ENTSO-E.
Kriza që e ka përfshirë gjithë evropën ka bërë që vendet të përballen me rritje të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike, për shkak të rritjes së kërkesës për rrymë. Përgjigja e ENTSO-E për rrezikun në të cilin është vënë furnizimi i vendeve evropiane, është bërë lajm gjithandej.
Në Kosovë, kriza energjetike është përshkallëzuar jo vetëm se prodhimi vendor është i pamjaftueshëm për t’iu përgjigjur nevojës së lartë për rrymë, por edhe se blloku “B2” i Termocentralit “Kosova B” është jashtë funksionit tash e sa ditë, ndërsa një ekspert gjerman është angazhuar për ta mbikëqyrur riparimin në turbina.
Kjo situatë po e detyron Kosovën të importojë shumë më tepër energji se normalja.
Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka shpallur gjendje emergjente të energjisë në vend, duke e miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji, duke i bërë të ligjshme reduktimet.
Qeveria e Shqipërisë do t’ia japë Kosovës 7,680 megavatë energji elektrike për 31 dhjetor dhe 1 janar, në një përpjekje për të ndihmuar në këtë situatë.
“Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës kemi arritur që të sigurojmë 3,600 megavatë për datën 31 dhjetor, dhe 4,080 megavatë orë për datën 1 janar”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë e Shqipërisë, Belinda Balluku.
“Ne e falenderojmë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë, zonja Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Republikës së Shqipërisë, për shkak se ne jemi komplementare, ne kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale; ne kemi qymyr, ata kanë ujë”, tha ai.
Kurti tha se Kosova do të mund t’ia kthejë këtë ndihmë Shqipërisë në verë.