image Kritikohen institucionet në Gjermani pas vërshimeve: Dështim monumental

Evropë

Kritikohen institucionet në Gjermani pas vërshimeve: Dështim monumental

news image

Gjermania, një nga shtetet më të pasura në botë zihet në befasi nga ngjarjet e motit ekstrem të javës së kaluar, në kohën kur po dalin hollësi të reja për atë se si paralajmërimet e hershme rreth reshjeve rekorde dhe vërshimeve të pritshme nuk arritën deri te komunitetet që ishin më së shumti në rrezik.

Edhe pse, Sistemi Evropian për Vetëdijesim rreth Vërshimeve dërgoi paralajmërime specifike për rajonet më të goditura në Gjermani katër ditë para fillimit të reshjeve të mëdha, duket se vërshimet e shpejta prapë i zunë në befasi shumicën e banorëve, shkruan The Guardian, njofton Gazeta Sinjali.

Profesorersha Hannah Cloke, hidrologe në Universitetin e Reading-ut, e cila e këshillon këtë sistem evropian, tha se numri i viktimave të vërshimeve në Gjermani është një dështim monumental i sistemit.

Ndërkohë, ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, i mohoi pretendimet se zyrtarët federalë kanë bërë gabime dhe tha se paralajmërimet janë dërguar tek autoritetet lokale, të cilat më pasë kanë marrë vendime për mbrojtje nga fatkeqësitë.

Në anën tjetër, ministri rajonal i Punëve të Brendshme i rajonit perëndimor, Nordrhein-Ëestfalen, Herbert Reul, pranoi se sistemi i paralajmërimit të hershëm nuk ka funksionuar në mënyrë aq efikase sa ka mundur të funksiononte, por tha se nuk sheh ndonjë problem themelor në këtë sistem. Në rajonin që ai e udhëheq kanë vdekur 47 persona nga vërshimet.

Drejtori i zyrës federale për mbrojtje civile dhe asistencë në fatkeqësi duket se ua hodhi fajin autoriteteve lokale. “Infrastruktura paralajmëruese si e tillë nuk ishte problemi ynë, por pyetja se sa të ndjeshme janë autoritetet publike dhe popullsia në reagimin e tyre”, tha Armin Schuster.

/GazetaSinjali/