Pas deklaratës ku tha se “KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun”, në Kosovë shpërthyen kritikat ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e gjykuan për qëndrimin e njëjtë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i cili po ashtu tha që veriun e Kosovës ta marrë në dorë KFOR-i, pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, raporton Gazeta Sinjali.
Së fundmi, Rama i ka dhënë një përgjigje kritikëve, për të cilët tha se duhet të fokusohen në sfidat e jashtëzakonshme që i kanë, e mos të merren me rrjetin social “Facebook”.
I njëjti tha se epitetin “vëllau i Vuçiqit”, e sheh si një tullumbac të konspiracionit.
“Atyre në Prishtinë që në vend se të fokusohen 100% tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për ‘Republikën e KFOR-it’”, shkroi Rama.