Pjesmarrja e dy ministrave të qeverisë së Malit të Zi në kremitmin e ditës antikushtetuese të Republikës Serbe, mund të ketë pasoja më të rënda se përplasjet politike mes aktorëve vendas. Këtë e tregojnë reagimet e faktorit ndërkombëtar, që kësaj radhe duket se janë më direkte dhe më të ashpra se zakonisht.
Nga Ambasada e SHBA në Podgoricë thonë se prania e zyrtarëve të qeverisë malazeze në ceremoninë e shënimit të Ditës së Republikës Serbe është në kontrast të thellë me pozicionin e Malit të Zi si aleat i NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ata shtojnë se janë “shumë të zhgënjyer” nga vendimi i ministrave, duke e cilësuar atë si veprim që tregon mungesë të madhe respekti për institucionet e Bosnjë-Hercegovinës.
Reagime erdhën edhe nga deputetët e Parlamentit Evropian, Romeo Franc nga grupi i të Gjelbërve, si dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Bosnjën dhe Hercegovinën Paolo Rangel nga Partia Popullore Evropiane, të cilët dënuan praninë e dy ministrave në ceremoninë e lartpërmendur. “Ne e konsiderojmë zgjedhjen e Sarajevës Lindore si vend për festimin e kësaj dite si një akt provokues dhe veçanërisht cinik. E dënojmë gjithashtu pa rezerva praninë e disa ministrave serbë, presidentit të Parlamentit serb dhe – për herë të parë – dy ministrave të qeverisë teknike të Malit të Zi, në këtë ngjarje të paligjshme”, kanë thënë Franz dhe Rangel.
Ata shtojnë se “janë kaluar disa vija të kuqe” dhe se është koha që komuniteti ndërkombëtar të bëjë një hap përtej deklaratave të forta verbale dhe të ndërmarrë veprime konkrete kundër atyre që vazhdojnë “të minojnë në mënyrë të vetëdijshme dhe sistematike rendin kushtetues dhe territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”. Prej partive shqiptare kanë reaguar nga Forca e Re Demokratike, të cilët thonë se çdo lloj prezence në këtë festë është në fakt mbështetje për politikën e Radovan Karaxhiqit dhe ish-ndihmësit të tij të cilët tani janë bërë mjeshtëra të destabilizimit rajonal.