image "Kriminel i planit urbanistik", reagim i ashpër i qytetarit të Prishtinës ndaj Ahmetit

Kosovë

“Kriminel i planit urbanistik”, reagim i ashpër i qytetarit të Prishtinës ndaj Ahmetit

news image

Ditën e sotme, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shoqëruar nga drejtori për Shëndetësi, Bujar Gashi, inspektuan punimet e Qendrës së parë të Mjekësisë Familjare në rrugën “Kujtim Laro” të lagjes Veternik. Megjithëse, shumë të lumtur nuk ishin qytetarët e kësaj ane që shprehën mllefin ndaj Ahmetit.

Ahmeti potencoi se me ndërtimin e kësaj QMF-je plotësohen nevojat e kësaj zone të kryeqytetit të cilët detyrohen që shërbimet mjekësore t’i marrin në QMF në Kalabri ose në Mat.

Për QMF e Veternikut, kreu i Prishtinës tha se do të plotësojë të gjitha kërkesat e qytetarëve që jetojnë në këtë anë dhe se përfundimi i saj i tërësishëm pritet të ndodhë në fund të këtij viti.

“Kjo është pjesa e Prishtinës e cila nuk është e mbuluar me rrjetin e Qendrës se Mjekësisë Familjare, pra shumica e tyre ose kanë shkuar në Kalabri ose në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mat dhe tash me këtë do të zhvillojmë Prishtinën e re në anën nga lagjja ‘Qëndresa’ dhe në lagje të ndryshme që po zhvillohen në këtë pjesë të qytetit. Kjo qendër pritet të përfundojë deri në fund të vitit dhe do t’i ofrojë të gjitha nevojat që i ka një Qendër e Mjekësisë Familjare duke përfshirë edhe laboratorin edhe biokiminë. E kemi thënë shumë herë që në Prishtinë kjo qendra e mjekësisë, ose nuk përmendet, ose nuk harrohet, dhe jam i gëzuar që nuk përmendët shpesh si problem”, deklaroi Ahmeti.

Mirëpo, ndërtimi i kësaj Qendre të Mjekësisë Familjare nuk është mirëpritur nga disa qytetarë përreth te cilat tashmë janë në kontest gjyqësor me Komunën e Prishtinës, të njëjtit pretendojnë se kjo qendër do t’ua vështirësojë jetën.

Njëri prej tyre, Reshat Sahitaj, e quajti kryetarin e Prishtinës si “kriminel të planeve urbanistike” i cili po i mbyll rrugën që çon në shtëpinë e tij.

“Kjo ambulantë është gropë septike që do t’i helmojë qytetarët e Kosovës me mbeturina të WC-së që do të dalin në rrugë, jemi që dy muaj unë dhe fqinjët e mi në kontekst kundër kësaj ambulante. Po i mbyll rrugët. Një fqinj tim të cilit iu ka mbyll një rrugë, rruga ime po ashtu në anën tjetër është mbyllur, shteti hap rrugë, shteti nuk mbyll rrugë. Pastaj ambulanca nuk i përmbush kushtet urbanistike sepse në bazë të ligjeve ambulanca nuk i ka 30% të gjelbërimit, pra është një ambulant e cila është ndërtuar me vendimin e Shpend Ahmetit, që për mua Shpend Ahmeti është kriminel i planeve urbanistike në Prishtinë se e ka shkatërruar planin urbanistik në vend se ta ndërtojë”, tha ky qytetar.

I njëjti mendon se Komuna e Prishtinës nuk është duke e ndërtuar QMF-në në tokën e saj dhe se ajo gjendet 50 metra larg nga vendi ku po ngrihet kjo ndërtesë e këtij institucioni primar shëndetësor.

Sahitaj, i cili është edhe shkrimtar e që ka ngritur këtë çështje edhe kohë më parë, tha se kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti po e ndërton këtë qendër pikërisht në vendin aktual si shenjë hakmarrje ndaj tij që ka qenë kritik.

“50 metra më tutje është pjesa e komunës, 50 ari, 7 ari, 100 ari, ka sa të duash. Ai ka ardhur qëllimisht këtu për shkak se nëpër televizionet e Kosovës më herët kam folur kundër padrejtësive që i ka bërë Shpend Ahmeti. Është mbyllur shtëpia ime, tjetri ende nuk e ka bërë shtëpinë por aty e ka truallin, pra dy shtëpive iu është mbyllur rruga. Tani jemi në proces gjyqësor të premten ka filluar procesi gjyqësor brenda kësaj jave ose javës tjetër do të merret një vendim nga gjyqi nëse do të vazhdojë të ndërtohet apo nuk do të vazhdojë të ndërtohet, që mundet ta ndërpresë gjyqi. Këto punime kanë filluar që dy muaj, toka ka qenë e Komunës dhe kjo nuk ka qenë as tokë por ka qenë një breg, për të cilën kam paguar 20 mijë euro që ta bëjmë rrafsh”, shtoi Reshitaj.

Megjithatë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se ata nuk mund të ndërtojnë në pronat që janë në konteste dhe se prona ku po ndërtohet kjo QMF është e Komunës së Prishtinës. Sipas tij, ky truall është zgjedhur të ndërtohet pasi është i qasshëm për të gjithë banorët.

“Ne nuk mund të ndërtojmë në pronat të cilat janë në konteste, pra ne e shohim në kadastër se a është pronë e komunës së Prishtinës në qoftë se aty shkruan se është pronë e Komunës së Prishtinës ne e konsiderojmë si tonën. Tash mi këqyr krejt pronat se a ka padit dikush, a nuk ka padit, atëherë nuk do mund të bënim asgjë, gjykata e ka instrumentin e masës së sigurisë në qoftë se vlerëson se ka mjaftueshëm dëshmi të cilat më vonë do të shkaktojnë pasoja juridike të pakthyeshme na e vendos masën e sigurisë dhe thotë mos punoni.

Në qoftë se pala fiton, ai kompensohet por ne diçka që shkruan Komuna e Prishtinës në kadastër e konsiderojmë si pronë të Komunës së Prishtinës. Ka hapësirë sikurse një pjesë e madhe e QMF që kemi, kemi pasur problem shumë të madh jo për shkak që s’kemi prona në këtë pjesë por ka qenë kyç me gjet një lokacion që është i qasshëm për të gjithë”, u shpreh Ahmeti.

Qendra e Mjekësisë Familjare në zonën perëndimore në lagjen Veternik, është projekti i financuar nga Komuna e Prishtinës dhe ka qenë i gatshëm që nga viti 2019. Projekti arrin vlerën e 463,318 eurove. Kjo qendër është planifikuar do t’ju shërbejë afro 20 mijë banorëve të lagjes Veternik me ç‘rast synohet t’ju lehtësohet qasja e tyre në shërbimet shëndetësore.

Gjatë inspektimeve të punimeve i pranishëm ishte edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi i cili ndër të tjerash bëri të ditur se që nga java e ardhshme, Prishtina do të nis edhe testet e hormoneve si: T3, T4, TSH, PSA. Këto teste do të realizohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. /GazetaSinjali/