image Krimi i dyfishtë në Veri: Krejt çka dihet për vrasjen e avokatit dhe të birit të tij - Sinjali

Krimi i dyfishtë në Veri: Krejt çka dihet për vrasjen e avokatit dhe të birit të tij

news image

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në një familje në veri të Mitrovicës, ku një person dyshohet se ka vrarë vëllain binjak 29-vjeçar dhe babain e tij, avokatin Milan Bigovic. I riu Marko Bigovic, i cili dyshohet se vrau familjarët e tij me thikë, tashmë ka rënë në prangat e Policisë.

Rasti, motivet e së cilit ende nuk dihen, ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit, në rrugën Kralja Petra, në Mitrovicë të Veriut, pas një mosmarrëveshje në familjen Bigovic, që eskaloi në dhunë dhe përfundoi tragjikisht.

Sipas informatave të para, i dyshuari që kreu këtë vrasje të dyfishtë është përdorues i substancave narkotike. I njëjti tashmë ndodhet në stacion policor, ku do të përballet me veprën me të cilën ngarkohet.

Siç mëson Sinjali, fillimisht ka humbur jetën vëllai binjak i të dyshuarit, e më pas edhe babai i tij, i cili nuk ka mundur t’u bëjë ballë plagëve të marra nga mjeti i mprehtë.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti.

“Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur brenda një familje. Një person ka vrarë babain dhe vëllain e tij. I ka ther me thikë dhe të njëjtit s’kanë mundur t’iu përballojnë plagëve dhe kanë vdekur në vend. I dyshuari është arrestuar”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë janë publikuar pamje nga vendi i ngjarjes ku shihet se në vendin ku ndodhi krimi kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin