Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë policia mund të masë nivelin e lëndëve narkotike që një person ka konsumuar. Kjo pasi që tash e një kohë është duke u përhapur legalizimi i marihuanës në mbarë vendin.
Thuajse 10 shtete amerikane e lejojnë konsumimin e marihuanës rekreative dhe 33 shtete të tjera lejojnë konsumimin e saj për përdorim mjekësor. Por në të gjitha shtetet, ndalohet drejtimi i makinës nën efektin e saj.
Në Okland të Kalifornisë, një firmë po zhvillon në laborator një lloj të ri drageri, që mat nëse drejtuesi i makinës është apo jo nën efektin e ndonjë lënde narkotike dhe pritet që të hidhet në treg në vitin 2020.
Drejtuesi i “Hound Labs”, Mike Lynn thotë se kompanitë e ndërtimit mund të bëhen pjesë e rëndësishme e këtij tregu.
“Unë nisa ta studioj këtë pajisje 6 vite më parë pasi ishte bërë e qartë në atë kohë që marijuana do të legalizohej shumë shpejt. Kjo na ndërgjegjësoi që duhet të krijojmë një lloj balance mes konsumit, qoftë edhe për arsye shëndetësore dhe sigurisë publike. Dhe kur flasim për siguri publike, kemi të gjithë një të përbashkët, të njëjtën ndjenjë përgjegjësie. Askush nuk dëshiron që një punonjës, në katin e 50 të konsumojë kanabis apo që një mjek, në shërbimin e urgjencës, të ketë konsumuar drogë teksa kujdeset për një pacient. Edhe nëse ke konsumuar drogë një natë më parë, edhe nëse ke konsumuar 2 javë më parë, ajo është aty dhe vetëm përmes frymës mund të zbulohet. Nëse ke konsumuar drogë mbrëmë dhe 2 javë më parë, fryma është ndryshe. Kjo matet përmes THC, që mbetet në frymën e çdo përdoruesi droge”, tha Lynn.
Sistemi gjyqësor në Shtetet e Bashkuara do të duhet të konsiderojë mirë mënyrën sesi do ta përdorë këtë lloj drageri.
“Informacioni nga drageri sigurisht që do të mund të sfidohet në gjykatë. Ne presim që kjo të ndodhë. Por teknologjia që ne përdorim, është shumë e njohur. Po përdorim të njëjtën teknologji që deri më sot përdorej me testin e urinës apo gjakut, thjesht tashmë do të aplikohet në frymëmarrje. Është një teknologji me perspektivë, thjesht kemi modifikuar gjithcka me shumë kujdes dhe ofrojmë një mënyrë ndryshe”, përfundoi Mike Lynn.