Kreu i Zyrës Evropiane të Organizatës Botërore të Shëndetit, Hans Kluge, tha se rritja e rasteve të koronavirusit në të gjithë kontinentin e Evropës ka bërë që të rikthehen masat kufizuese, duke i quajtur ato “absolutisht të nevojshme” për të ndaluar pandeminë.
Në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme, Dr. Hans Kluge paralajmëroi hapa edhe më drastikë, shkruan Gulf Today, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai bëri thirrje që vendet dhe qytetarët e tyre të përpiqen sa më shumë për të kontrolluar virusin dhe se përhapja më e madhe e Covid-19 po ndodh në shtëpi dhe në hapësira të brendshme.
Kluge tha se koronavirusi është shkaku i 5-të kryesor i vdekjeve në Evropë dhe vuri re së kohëve të fundit u raportuan mbi 8,000 vdekje në ditë.
Hans Kluge sugjeroi se nëse 95% e njerëzve mbajnë maska dhe zbatojnë masat e tjera, Evropa mund të shmangë rreth 281,000 vdekje deri në muajin shkurt.
Zyrtarja e lartë e urgjencës së OBSH-së në Evropë, Katie Smallwood, u bëri thirrje vendeve të veprojnë më shpejt.
“Ne nuk e kemi luksin e kohës”, tha ajo, duke shtuar se duhet identifikuar e gjurmuar të gjitha rastet./Gazeta Sinjali/