image Krerët e FFK-së dhe FSHF-së të pikëlluar nga vdekja e Franz Beckenbauer

Futboll

Krerët e FFK-së dhe FSHF-së të pikëlluar nga vdekja e Franz Beckenbauer

news image

Në moshën 78-vjeç ka vdekur legjenda e futbollit, Franz Beckenbauer. Legjenda gjermane ka vdekur gjatë ditës së djeshme ka njoftuar gazeta gjermane Bild.

Vdekja e djalit të tij Stephan (46) në vitin 2015 dhe thashethemet për Kupën e Botës 2006 e ndikuan atë. Që atëherë, edhe shëndeti i tij është përkeqësuar. Infarkti i syrit, operacionet e zemrës, plus sëmundja e Parkinsonit.

Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar edhe i pari i FFK-së, Agim Ademi, si dhe ai i FSHF-së, Armando Duka.

“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të një prej figurave më ikonike të futbollit, Franz Beckenbauer. I njohur si “Der Kaiser”, Franz Beckenbauer ishte një emër që ka shkruar histori dhe ka lënë një trashëgimi të madhe për brezat. Beckenbauer fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë Perëndimore si kapiten më 1974 e më pas si trajner më 1990. Ai ishte legjendë e klubit gjerman, Bayern Munich, me të cilin fitoi shumë trofe. “Der Kaiser” për të gjithë ne nuk ishte thjesht një futbollist, ishte një lider, një frymëzim dhe një simbol i pavdekshëm i futbollit. Le ta kujtojmë dhe ta nderojmë legjendën Franz Beckenbauer për kontributin e tij të pakrahasueshëm në sportin që ne të gjithë e duam dhe e adhurojmë. RIP🙏Lamtumirë, legjendë!”, ka shkruar Ademi.

“Bota e futbollit, Gjermania dhe tifozët humbën sot një prej simboleve të kësaj loje të mrekullueshme. Shkëlqimi i futbollit gjerman dhe ylli botëror Franz Beckenbauer u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të madhe. Ai u shndërrua në legjendë. Fitoi titujt kampion i Europës dhe i Botës si futbollist, ndërkohë që fitoi Botërorin edhe si trajner në vitin 1990. Në nivel klubesh fitoi gjithçka me Bajernin e Mynihut si edhe dy “Topa të Artë”, diçka e rrallë për një mbrojtës. Beckenbauer mbetet në kujtesë si një nga lojtarët më elegantë dhe më të papërsëritshëm në historinë e futbollit. Figurë emblematike, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Europën, që gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm, i pagëzuar me nofkën “Der Kaiser”. Lamtumirë “Perandor”, faleminderit për gjithçka i ke dhënë futbollit!”, tha Duka.

/GazetaSinjaliSport/