Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga nënkryetari Lutfi Haziri dhe anëtari i Kryesisë Avdullah Hoti është pritur nga zëvendësndihmës sekretari i SHBA-së, Matthew Palmer dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, shkruan Gazeta Sinjali.
Në njoftimin e LDK-së në Facebook, thuhet se Abdixhiku e falënderoi Palmer për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi se SHBA-ja është partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit tonë.
“Po ashtu, kryetari Abdixhiku e njoftoi Palmer për qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Ndërsa zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, Palmer e falënderoi kryetarin Abdixhiku për konstruktivitetin që LDK-ja ka treguar në formimin e institucioneve”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe nevojën që SHBA-ja të ketë rol të fuqishëm në dialog. /Gazeta Sinjali/