“Iute Credit” në bazë të planit të propozuar të biznesit, ishte autorizuar nga BQK që në tri vjetët e para të operimit (2017,2018,2019) të zbatonte normën efektive të interesit deri në 34%. Ndërsa në praktikë kishte vepruar ndryshe duke zbatuar norma efektive të interesit nga 70.04% deri në 112.90% ose me një mesatare prej 82.11%, shkruan Gazeta Sinjali.
Më 10 mars të vitit 2018 një qytetar kishte marr një kredi vjetore nga “Iute Credit” në shumë prej 1 mijë euro ndërsa detyrohej t`i kthente për 12 muaj, gjithsej 1,454.64 euro. Nga kjo kredi, Iute Credit përfitonte rreth 500 euro të pastra, përfshirë vlerën e komisioneve të ndryshme dhe këstet mujore të interesit. Sipas kontratës, ky qytetar obligohej të paguante për bankën normë nominale të interestit vjetor prej 14% përqind ku përfshihej 350 euro si vlerë të komisioneve të ndryshme dhe 104.6 euro si interes.
Në një kontratë tjetër të nënshkruar më 28 mars 2018,një qytetar kishte marr një kredi prej 200 eurosh, me afat kthimi për tre muaj, ndërsa ishte dashur të paguante gjithsej 235.77 euro përkatësisht 35.77 euro kamatë për “Iute Credit”.
Këto janë dy nga dhjetë mostrat e kontratave me afat maturimi prej 1 deri në 12 muaj, të cilat janë ekzaminuar nga ekspertët e BQK-së, që në maj të 2018, gjetje këto që i paraprin vendimit për mbylljen e këtij insitucioni financiar jobankar, mëson Gazeta Sinjali nga burimet në BQK.
Përfitime të tilla të kundërligjshme në formë fajdesh, “Iute Credit” kishte aplikuar ndaj dhjetëra e qindra klientëve nevojtarë, të cilët janë “mbështetur për muri” për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale si dhe pamundësisë për tu përballuar me sfidat që u kishte sjellë jeta, përfshirë edhe nevojat për trajtime shëndetësore.
Duke e shfrytëzuar këtë situatë dhe kërkesat në rritje të qytetarëve për kredi të shpejta, institucioni financiar jobankar “Iute Credit” kishte rritur krye më vete, kamatat në kredi ndaj klientëve, duke aplikuar këtë formë të zhvatjes ndaj qytetarëve, prej kohës së regjistrimit në Kosovë, më 27 tetor 2017.
Përkundër se ky institucion ishte lejuar të veprojë nga BQK, me kushte krejtësisht tjera të parapara me planin e biznesit, në praktikë kishte vepruar në kundërshtim me lejen, ligjin dhe rregulloret e BQK-së duke aplikuar norma interesi shumëfish më të larta ndaj qytetarëve.
“Iute Credit” në bazë të planit të propozuar të biznesit, ishte autorizuar nga BQK që në tri vjetët e para të operimit (2017,2018,2019) të zbatonte normën efektive të interesit deri në 34%. Ndërsa në praktikë kishte vepruar ndryshe duke zbatuar norma efektive të interesit nga 70.04% deri në 112.90% ose me një mesatare prej 82.11%.
Në rastin e një kredie që është marr si mostër për ekzaminimimin e planit të amortizimit të saj, ekspertët e BQK-së kanë vërejtur se “Iute Credit” normën e interesit të kredisë e ka llogaritur mbi bazën e kredisë së aprovuar në vlerë prej 500 eurosh dhe vlerës së komisioneve në shumë prej 157.50 eurove. Ndërsa sipas rregullores së BQK-së, norma e intersit të kredisë duhet të llogaritet vetëm mbi bazën e shumës së kredisë së aprovuar prej 500 eurosh.
“Iute Credit” poashtu ka shkelur rregullat e ndëshkimit për kamatëvonesën. Sipas BQK, përqindja e kamatvonesës ditore është 0.6 përqind dhe do të llogaritet mbi shumën e papaguar të secilit këst në vonesë. Ndërsa “Iute Credit” ka aplikuar normën e kamatës ndëshkuese prej 0.6 % ditore në komplet këstin në vonesë përfshirë në total (kryegjë+interes+ tarifa për administrimin e kredisë)
Shkelje tjetër e evidentuar është se “Iute Credit” nuk e ka përgatitur metodologjinë për llogaritjen e normës efektive të interesit të bazuar në rregulloren e BQK-së për Normën Efektive të Interesit. Për rrjedhojë në një kontratë të analizuar norma efektive e interesit është shpalosur 95.53%, ndërsa bazuar në rregulloren dhe metodologjinë e BQK-së, kjo normë do të duhej të ishte shpalosur 141.37%.
Përkundër këtyre shkeljeve të vazhdueshme BQK-së I janë dashur mbi dy vjet që ta ndalin këtë formë të kundërligjshme të zhvatjes së qytetarëve, e cila rezultoi së fundi me revokimin e licensës së operimit të “Iute Credit”, më 6 dhjetor 2019.
Mbyllja e këtij institucioni u parapri me disa vërejtje dhe masa ndëshkuese, siç ishte vendimi i datës 13 nëntor 2018, me të cilin BQK ndëshkoi me 15 mijë euro “Iute Credit” ndërsa shqiptoi masën “vërejtje me shkrim” për Kryeshefin Ekzekutiv, anëtarët e Bordit dhe aksionarët e institucionit mikrofinanciar.
Përkundër kësaj, “Iute Credit” kishte injoruar pothuajse tërësisht vërejtjet e BQK-së, sidomos sa i përket çështjes së kamatave ndonëse kishte zbatuar pjesërisht disa vërejtje tjera ndërsa procesi ishte zvarritur deri më 6 dhjetor 2019 kur BQK përfundimisht ia vuri dryrin “Iute Credit” pas mbi dy vjet operimi në Kosovë./Gazeta Sinjali/