image Krasniqi: Rama dhe Haradinaj po gabojnë, janë duke dëmtuar faktorin shqiptar

Kosovë

Mini-schengen/ Krasniqi: Rama dhe Haradinaj po gabojnë, janë duke dëmtuar faktorin shqiptar

news image

Analisti Afrim Krasniqi deklaroi në studion e “Dita jonë” në A2 se Minishengeni Ballkanik është një “nismë dëshpërimi pas vendimmarrjes negative evropiane për hapjen e negociatave”.

“Nuk përbën një strategji afatgjatë, është për konsum disamujor. Por, për momentin po funksionon. Gjithashtu, BE dhe SHBA e pëlqejnë idenë që vendet e rajonit të bashkëpunojnë. Palët po e përdorin dhe njeriu që përfiton më shumë është VuçiQ sepse kërkon të përfitojë kredenciale në rajon dhe po godet Kosovën”, shpjegon Krasniqi.

Sipas tij, “Kosova nuk është përfshirë fillimisht në listë, por gjatë procesit, nuk është konsultuar dhe ndodhet në vakuum politik” dhe për këtë arsye Shqipëria duhej të ishte konsultuar me të paraprakisht.

“Në 1996, Rugova pati thënë që asnjë lider politik në Tiranë nuk mund të flasë për Kosovën pa u konsultuar me Kosovën. Tirana duhet të kishte komunikuar me Kosovën, por, për shkak se Rama kontrollon të gjitha pushtetet në Shqipëri, mendon se mund të ketë pushtet edhe në Kosovë. Nëse ministri i Jashtëm do të konsultohej me liderët e Kosovës, do të kishim situatë krejt tjetër”, tha Krasniqi.

Analisti mendon se “dy kryeministrat tanë po gabojnë duke komunikuar me këtë gjuhë si deri tani”, duke iu referuar konfliktit Rama-Haradinaj.

“Nuk mund t’i thonë njëri-tjetrit gënjeshtar dhe epitete të tjera. Nuk po dëmtohet Rama apo Haradinaj, por po dëmtohet faktori shqiptar dhe ky është lajm i mirë për kundërshtarët e shqiptarëve në rajon”, shprehet Krasniqi.

Analisti mendon se “palët ranë viktimë e lojës serbe”: “Serbia bëri një lojë të dyfishtë: nga njëra anë refuzoi masakrën e Reçakut duke provokuar Kosovën dhe nga ana tjetër tha që do të jetë një nga donatorët kryesorë të Shqipërisë për situatën pas tërmetit. Kjo e zuri në kurth palën tonë, që ishte e papërgatitur. Samiti nuk do të kishte efekt në rajon, por fakti që u kthye indirekt kundër Kosovës duke u denigruar liderët kosovarë, gjithë samiti mori konotacion tjetër. Kryeministri shqiptar foli më keq se çdo kryeministër tjetër për Kosovën. Çdo gjë tjetër është normale”.