Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, thotë se reciprociteti ndaj Serbisë është më i vështirë për t’u mbajtur sesa taksa. Ish-kryeparlamentari, komenton edhe zhvendosjen e fotografisë së presidentit Thaçi nga kryetarja aktuale e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Pasi Osmani tha se fotografinë e Thaçit e zëvendësoi me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, për inspirim. Krasniqi konsideron se inspirim duhet marrë edhe nga Adem Demaçi dhe Adem Jashari.
Në një intervistë me shkrim për Gazetën Sinjali, Krasniqi ka përgjigje edhe për kritikat e shumta që Fatmir Limaj po ia bën Albin Kurtit.
Lexoni intervistën e plotë:
Gazeta Sinjali: Në seancën e Kuvendit të Kosovës që u thirr për votimin e Qeverisë Kurti opozita iu ‘vërsul’ Albin Kurtit, duke e quajtur mashtrues dhe duke e kritikuar fort për veprimet e tij në të kaluarën. A e përcollët ju seancën, kishin të drejtë opozita apo jo?
Krasniqi: Po, pjesën më të madhe të seancës e kam shikuar. Për seancën e parë opozita edhe nuk ka pasur diçka tjetër për të thënë. Kjo mënyrë e komunikimit ka vite që është instaluar në Kuvendin e Kosovës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe as në ketë seancë.
Gazeta Sinjali: Pas votimit të qeverisë Kurti, kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se ‘do të harrohet Hashim Thaçi me atë se çfarë ka ardhur’, duke aluduar kështu për zgjedhjen e Albin Kurtit si kryeministër. A duhet bërë një krahasimi i tillë mes Kurtit dhe Thaçit?
Krasniqi: Njerëzit i kanë argumentet e bindjet e tyre dhe është mirë kur i bëjnë publike, ashtu siç edhe e kanë të drejtën edhe të parashikojnë. Ajo që unë e kam vërejtur, se paku gjatë tridhjetë viteve të fundit në politikën shqiptare, është kjo: Krahu i rezistencës kombëtare, Lëvizja Kombëtare për Çlirim, sidomos te burgosurit politikë, për partitë politike dhe shefat e tyre, kanë qenë të pa dëshiruar (me ndonjë përjashtim), në dhënien e përgjegjësive shtetërore. Mbase kjo ka qenë edhe ndonjë porosi nga të fuqishmit që kanë synuar ta krijojnë një klasë të “re” politike të dëshirueshme (pranueshme) për Beogradin?!
Gazeta Sinjali: Kurti dhe Osmani paralajmëruan heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, si e shihni këtë veprim, a duhet të hiqet taksa?
Krasniqi: Jo, ata thanë se “do ta zëvendësojnë taksën me reciprocitetin”. Nuk e di si kanë menduar ata, por reciprociteti është më i vështirë për t’u mbajtur sesa taksa?! Veçse nëse mendohet për reciprocitet ekonomik. Ndërsa reciprociteti ekonomik është hajgare hesapi. E nëse mendohet në reciprocitet: politik, diplomatik e ekonomik, kjo është tjetër gjë. Apo, mbase kanë menduar që thjeshtë ta heqin taksën. Unë personalisht, taksën e kam parë si një përgjigje ndaj agresivitetit të politikës serbe ndaj Kosovës së Pavarur. Dhe këtë agresivitet nuk mund ta mohoj askush. Prandaj e kam mbështetur dhe duhet të mbështetet.
Gazeta Sinjali: Pasi jemi te teksa, sa i shihni gjasat për vazhdimin e dialogut me Serbinë?
Krasniqi: Personalisht që nga fillimi i bisedimeve politike, kam qenë dhe kam mbetur i bindur, se mënyra sesi po bisedohet me Serbinë e Vuçiqit, nuk mund të këtë as dialog e as marrëveshjeje. Duhet ta them edhe këtë: Presioni perëndimor mbi Kosovën për dialogun Kosovë – Serbi, është i padrejtë dhe nuk mund të jep rezultate pa e dëmtuar Kosovën.
Gazeta Sinjali: Po zhvendosjen e fotografisë së Presidenti Thaçi, duke e zëvendësuar me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, si e shihni?
Krasniqi: Largim nga “politika inspiruese” institucionaliste?! Politikë që e proklamojnë në çdo rast. Por, të gjithë ata që ulen në ulësen institucionaliste, duhet ta dinë se në ato institucione i ka dërguar Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe inspirimin do të duhej ta merrnin nga Adem Demaçi e Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare – Adem Jashari. Pasi këta ishin kryeinspiruesit e Lirisë e të Pavarësisë sonë.
Gazeta Sinjali: Meqenëse e keni drejtuar Kuvendin e Kosovës, a keni ndonjë këshillë apo sugjerim për Osmanin?
Krasniqi: Nuk kam, për faktin se politikajtë në Kosovë nuk kanë nevojë për këshilla. Shikoni ke e marrin për këshilla. Madje të gjithëdijshmit, nuk kanë nevojë për këshilla. Këshilla më e mirë për secilin nga ne është: Respektimi i institucioneve sipas Kushtetutës e Ligjeve.
Gazeta Sinjali: Sigurisht se e keni parë përbërjen e Qeverisë Kurti. A besoni se janë vendosur emrat adekuat nëpër ministri. Aq sa i njihni, a janë të zotë për të drejtuar ministritë e caktuara?
Krasniqi: E kam mendimin tim për kabinetin qeveritar si tërësi, por në ketë fazë nuk dua ta paragjykoj. Pas gjashtë muajve mund të flas, kur mund t’i shohim rezultatet fillestare. Ndonëse bindja ime paraprake është: partitë kanë pasur mundësi më të mira, por ata kanë pasur të drejtë ta bëjnë zgjedhjen e tyre. /Gazeta Sinjali/