Mes reagimeve të shumta rreth emërimit të Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, raporton Gazeta Sinjali.
Ai u shpreh se me emërimin e Aliut, e cila njëherit është një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, “Qeveria dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave”.
Krasniqi po ashtu tha se kjo Qeveri tash e dy vjet po synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve.
“Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tonë”, tha ndër tjera ai.
Postimi i plotë:
Mediat, deri sot, u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.
Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.
Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë.
Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tonë.
Larg duart nga mediat!