image Krasniqi: PDK do ta ndjekë deri në fund çështjen e zarfeve të dyshimta në Dragash

Politikë

Krasniqi: PDK do ta ndjekë deri në fund çështjen e zarfeve të dyshimta në Dragash

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka paralajmëruar se partia e tij do t’i shkojë deri në fund çështjes së votave të ardhura me postë për kryetarin e Komunës së Dragashit, të cilat përmbysën rezultatin përfundimtar në këtë komunë.

Në rast se marrin përgjigje negative nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për këtë pjesë, Krasniqi tha se do të ndjekin rrugët ligjore deri në fund.

“Ka bazë për hetime nga Prokuroria sepse do të ishte e papranueshme që një proces i mirë zgjedhor të dëmtohej nga një formë e tillë e organizimit, e cila e shkel legjislacionin në fuqi, pasi çdo qytetar e ka të drejtën e votën të pacenuar. Ne do të ndjekim rrugën ligjore dhe do të shkojmë deri në fund”, u shpreh Krasniqi në KlanKosova.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK doli partia e parë në Dragash, por ky rezultat u përmbys në favor të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas numërimit të votave të diasporës.

Lidhur me këtë çështje, PDK është ankuar në PZAP, pasi që dyshon se zarfet e votave nga diaspora janë plotësuar nga një person i vetëm dhe si të tilla nuk duhet të përfshihen në rezultatin zgjedhor./GazetaSinjali/