Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi ka njoftuar se janë duke vazhduar me kontrollet inspektuese në të gjitha komunat e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në mbledhjen e Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, Krasniqi tha se kanë bërë edhe inspektimin e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.
“Inspektimet e subjekteve kanë qenë kryesisht në hoteleri, sheshe e të tjera. Respektimi i orarit nga sektori i gastronomisë ka qenë pjesërisht i kënaqshëm, ku nuk është respektuar orari është gjobitur subjekti. Gjatë tubimeve të partive politike nuk janë respektuar masat antiCOVID andaj ne kemi gjobitur këto subjekte”, tha ai.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se kanë shqiptuar disa vërejtje edhe gjatë procesit të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 14 Shkurt.
“Gjatë vendvotimeve është monitoruar gjendja është shqiptuar vërejtje, dhe është vërejtur se temperatura matëse nuk është respektuar, dhe po ashtu distanca nuk është mbajtur”, pohoi ai.
Krasniqi tregoi se deri tani kanë bërë mbi 14 mijë inspektime në gjithë Kosovë, ku kanë bërë edhe shqiptimin e gjobave për qytetarë.
“Nga janari e deri tani, inspektorati sanitar ka bërë 14 mijë e 579 inspektime, gjoba për personat fizikë 238, për persona juridikë 232, vendimi për izolim 908, dalje nga izolimi 638, mbikëqyrje varrime 200”, theksoi ai./Gazeta Sinjali/