image Krasniqi: Njohja e ndërsjellë duhet të jetë shtylla bazë e marrëveshjes

Politikë

Krasniqi: Njohja e ndërsjellë duhet të jetë shtylla bazë e marrëveshjes

news image

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka takuar ambasadorin e Francës në Kosovë Olivier Guerot, ku kanë diskutuar për situatën aktuale në vend. Po ashtu sipas Krasniqit është diskutuar edhe lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore, duke përfshirë procesin zgjedhor të caktuar për fundin e këtij muaji.

Më tej Krasniqi ka treguar se ambasadorit Guerot i shprehu mirënjohjen e tij për Francën për mbështetjen e ofruar në procedurën lidhur me vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Në këtë takim, ripërsërita pesë pikat e propozuara nga unë dhe Partia Demokratike e Kosovës për marrëveshjen finale në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues, njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë – duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje”, tha Krasniqi.

Kryetari i PDK-së theksoi më tej se ka pranuar urimet e ambasadorit francez për anëtarësimin e PDK-së në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), i cili e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm në procesin reformues të nisur nga partia jonë.

/GazetaSinjali/