Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka thënë se ka një dallim substancial në mes të situatës së tanishme të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, me situatat e kaluara.
Sipas tij, ky dallim është në pikënisjen e rrëzimi të qeverive, në vet tekstet e mocioneve të mosbesimit të cilat përmes votimit janë mbështetur nga shumica e deputetëve.
“Në dy rastet e kaluara (2010 dhe 2017), në tekstet e mocioneve të mosbesimit shprehimisht ishte kërkuar mbajtja e zgjedhje të reja. Madje në vitin 2010, data e zgjedhjeve veçse ka qenë e shpallur para se të ndodhte mocioni. U.D. së presidentit Jakup Krasniqi, veçse kishte ndryshuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Në situatën e tanishme, në tekstin e mocionit shprehimisht thuhet se “me këtë veprim, Kuvendi krijon mundësinë për formimin e një qeverie të re”, ka shkruar ai, duke shtuar se mund të mos pajtohemi me formimin e një qeverie të re pa zgjedhje, por nuk mund të thirremi në standarde të dyfishta, pasi kërkesat dhe rrethanat janë të ndryshme./Gazeta Sinjali/