image Krasniqi: Mospërfshirja e veteranëve të UÇK-së në pagën minimale është turp, PDK s’merr pjesë në seancë

Politikë

Krasniqi: Mospërfshirja e veteranëve të UÇK-së në pagën minimale është turp, PDK s’merr pjesë në seancë

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar që Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.

Kjo për shkak të mospërfshirjes së veteranëve të UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.

“Propozimet tona kanë qenë që paga minimale të jetë në nivelin e tillë, që të mundësojë mbulimin e nevojave elementare për punëtorët dhe familjet e tyre, gjë që nuk është as për së afërmi e kënaqshme me propozimin e qeverisë që e ka sjellë me projektligj. Por në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale.”, tha Krasniqi.

“Fatkeqësisht, Kryeministri Kurti dhe qeveria e udhëhequr prej tij, me vetëdije të plotë është duke u përpjekur të shkëpusë kujtimin dhe nderimin e kësaj sakrifice. Qasja e kësaj qeverie në mënyrë të vazhdueshme e ka shpërfillur lavdinë dhe sakrificën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe këtë shpërfillje është duke e manifestuar edhe zyrtarisht. Me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, Kryeministri Kurti është duke u përpjekur të lëkundë themelet e dinjitetit të këtyre burrave e grave, që janë më meritorët për lirinë që e gëzojmë sot. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj veteranëve, por edhe përpjekje për të tjetërsuar të vërtetën historike mbi të cilën qëndron themeli i lirisë dhe pavarësisë sonë.”, tha ai.

Krasniqi duke e konsideruar këtë sjellje të papërgjegjshme karshi veteranëve si absurde dhe të pafalshme, u bëri thirrje qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim.

/GazetaSinjali/