Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se Udhëzimi Administrativ që rregullon iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit, është e vetmja rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Krasniqi pohoi se largimi i kryetarëve do të bëhet në mënyrë demokratike përmes kërkesës së qytetarëve duke mbledhur 20 mijë nënshkrime.
Ai në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë shtoi se Udhëzimi është në përputhje me Ligjin për vetëqeverisje lokale, madje tha se Udhëzimi Administrativ është kërkesa demokratike dhe vullnet i qytetarëve.
“Udhëzimi administrativ e ka bazën në vetëqeverisjen lokale dhe synim ka mbledhjen e 20 mijë nënshkrimeve të qytetarëve ku ata jetojnë, e më pastaj procedimin në Kuvend Komunal. Ky Udhëzim nuk është vetëm për katër komuna, por përgjithësi komunat në Republikën e Kosovës”.
“Pengimi i qytetarëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje e ka bërë Beogradi dhe aty janë kryetarët e komunave. Largimi i tyre mund të bëhet në mënyrë demokratike përmes kërkesës së qytetarëve duke mbledhur 20 mijë nënshkrime. Udhëzimi Administrativ është kërkesë demokratike dhe vullnet i qytetarëve”.