image Krasniqi - Lajçakut: Dialogu të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur

Politikë

Krasniqi – Lajçakut: Dialogu të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim të ngarkuarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e këtij procesi, raporton Gazeta Sinjali.

Pas këtij takimi, Krasniqi tha se ka kërkuar nga Lajçak që dialogu të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Kërkesa jonë është që të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Përfundimi i këtij procesi të sjellë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga ana e Serbisë, pa cenuar asnjë nga themelet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“PDK është e vetmja që qysh në 2018, edhe në mënyrë publike e ka platformën e vet për dialogun. Ne i qëndrojmë kësaj platforme besnik, dhe besoj që kjo është rruga e vetme për të shkuar përpara”.

Tutje ai tha se me Lajçak e ka diskutuar edhe çështjen e hapjes së arkivave të UÇK-së, duke mohuar se Ushtria Çlirimtare, kishte arkiva.

“Qëndrimi ynë për arkivat është bërë publik, edhe sot në takim me Lajçak e ngrita këtë çështje: Ne besojmë që fokusi të jetë tek çështjet e mëdha dhe nuk duhet askush të tentojë me çështje më sporadike të ikë nga obligimet e mëdha që kanë”.

“UÇK nuk ka pasur arkiva, ky është një fakt i ditur botërisht. Kushdo tjetër që në një formë ose tjetër, me qëllim apo pa qëllim e thotë një të pavërtetë dhe shkakton konfuzione  të cilat mund të jenë vetëm në favor të konspiracioneve dhe imagjinatës që tashmë është pjesë e diskursit publik dhe sulmit politik të Serbisë ndaj Kosovës.”/Gazeta Sinjali/