Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shprehu shqetësim për dëmtimin e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri, për çka e fajëson kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Unë mendoj se raporti ynë me Shqipërinë është i dëmtuar pikërisht nga qasja që kryeministri i Kosovës ka pasur edhe në raport me liderët institucional në Shqipëri”, deklaroi Krasniqi.
Sipas tij, kontribut negativ ka dhënë dhe pjesëmarrja e Kurtit në fushatën zgjedhore të Shqipërisë, në përkrahje të kandidatëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet e 25 prillit.
“Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri asnjëherë nuk duhet t’i subordinohen marrëdhënieve personale të kryeministrave që janë në detyrë, në momente të caktuara”, shtoi ai.
“Protagonizmi personal, tendenca për të treguar se cili është më i rëndësishëm se tjetri, i ka dëmtuar marrëdhëniet e mira. Besoj që Kosova gjithmonë duhet ta shohë Shqipërinë, si një mbështetëse të saj sepse ka qenë historikisht dhe tradicionalisht. Shqipëria është anëtare e NATO-s, është një shtet i rëndësishëm jo vetëm në nivelin e marrëdhënieve jo vetëm rajonale” deklaroi kreu i PDK-së në Euronews Albania.
Krasniqi mori si shembull marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri gjatë drejtimit të vendit nga Hashim Thaçi, ku tha se ai kishte funksionuar në raportin me Shqipërinë mirë edhe me ish-kryeministrin Berisha edhe me kryeministrin Rama.
Lideri i opozitës kosovare mbështeti idenë se bashkëpunimi dhe koordinimi Kosovë – Shqipëri duhet t’i paraprijë edhe veprimeve edhe në nivelin rajonal e evropian, gjë që do të sillte menaxhim më të mirë edhe të nismës së Ballkanit të Hapur.
“Kryeministrat e Kosovës duhet ta shohin Shqipërinë jo vetëm si partner, por edhe si shtetin e parë mbështetës në të gjitha çështjet që ndërlidhen me interesat tona kombëtare”, deklaroi Krasniqi, ndërsa tha se pret të takojë së shpejti kryeministrin Rama./GazetaSinjali/