image Krasniqi emëron një “ministre” të Mbrojtjes në Kabinetin për Qeverisje të Mirë

Politikë

Krasniqi emëron një “ministre” të Mbrojtjes në Kabinetin për Qeverisje të Mirë

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi sot ka prezantuar Koordinatoren e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë.

Në krye të kësaj detyre, i pari i PDK-së e ka caktuar Besa Kabashi-Ramaj, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një video prezantimi, kreu i PDK-së u shpreh entuziast se një eksperte për siguri kombëtare dhe mbrojtje, siç është Besa Kabashi-Ramaj, do ta udhëheq njërin prej departamenteve më të rëndësishme të Kabinetit për Qeverisje të Mirë në PDK.

Besa ka mbi 10 vjet përvojë në fushën e sigurisë dhe çështjeve ndërkombëtare, sigurisë kombëtare, politikave publike, sektorit të sigurisë dhe reformave në fushën e mbrojtjes. Përveç në Kosovë, Besa ka studiuar dhe ka punuar në SHBA dhe Evropë, me ekipe ndërkombëtare dhe ndërkulturore, në fushat e sigurisë kombëtare, reformës në sektorin e sigurisë, si dhe mbrojtjes dhe sigurisë njerëzore. Me përvojën e saj, bashkë me një ekip shembullor brenda Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Besa do të udhëheqë punën në ofrimin e alternativës sonë për fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, që do të jenë ndër fushat prioritare të KQM-së“, theksoi Krasniqi.

Po ashtu edhe Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Besa Kabashi-Ramaj u shpreh mirënjohëse për besimin e dhënë në këtë detyrë, duke thënë se siguria kombëtare duhet të jetë baza e shtetit të Kosovës, të ndërtuar me mund e sakrificë.

Vetëm së bashku mund të krijojmë një të ardhme të sigurt, një të ardhme që fëmijët tanë ta konsiderojnë ta kenë këtu, në Kosovë, e jo diku larg saj. Prandaj, në ndërtimin e Platformës së Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, ftojmë dhe presim bashkëpunim të ngushtë, që nga partitë tjera e deri tek shoqëria civile, ekspertët e fushës, partnerët ndërkombëtarë, e mbarë qytetarët e Republikës së Kosovës, shqetësimet e sigurisë të të cilëve do t’i dëgjojmë me vëmendje”, tha Kabashi-Ramaj.

/GazetaSinjali/