image KQZ vendosi dy herë për rinumërim të vendvotimeve si pasojë e parregullsive, Prokuroria e Shtetit nuk nis hetim!

Kosovë

Manipulimet/ KQZ vendosi dy herë për rinumërim të vendvotimeve si pasojë e parregullsive, Prokuroria e Shtetit nuk nis hetim!

news image

Prokuroria e Shtetit ende nuk ka iniciuar asnjë rast lidhur me parregullsitë e evidentuara nga Qendra për Numërim dhe Rezultate, gjatë procesimit të fletëvotimeve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Përkundër fakteve të QNR-së dhe ankesave dhe dyshimeve publike të ngritura nga kandidatët e subjekteve të ndryshme politike për manipulime të mundshme në këtë proces nga ana e komisionarëve apo përfaqësuesve të subjekteve politike, Prokurori i Shtetit, nuk ka ndërmarr asnjë veprim për të hetuar nëse bëhet fjalë për gabime teknike apo veprime të qëllimshme të devijimit të vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas zyrarëve të Prokurorisë së Shtetit, ende nuk është intervistuar asnjë i dyshuar i mundshëm, përgjegjës i vendvotimeve ku kanë ndodhur parregullsitë.

 “Për momentin krejt çka mund të themi është njoftimi i djeshëm që e kemi lëshu lidhur me atë se Prokuroria e Shtetit dhe Policia ju kanë përgjigjur ftesës së kryetares së KQZ-së për të qenë prezent në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. Policia ka dalë bashkë me hetuesit policorë në QNR dhe procesi është duke u monitoruar”, ka deklaruar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.

Ndërkohë, si pasojë e parregullsive nëpër vendvotime, KQZ është detyruar dy herë të marr vendim për rinumërim, dukuri kjo që po përsëritet në çdo palë zgjedhje.

Pas 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillimisht vendosi për rinumërimin e votave të 313 vendvotimeve ndërsa dje, për herë të dytë, anëtarët e këtij komisioni morën vendim t`i dërgojë në rinumërim edhe votat e 530 vendvotimeve me  rekomandim të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, e cila ka evidentuar parregullsi të natyrave të ndryshme.

Sipas njoftimit të koordinatorit të QNR-së, Burim Ahmetaj, nga këto 530 vendvotime në 149 prej tyre ka pasur shënim jo të saktë të votave për disa subjekte politike, në 81 vendvotime janë vërejtur se subjekti politik nuk ka vota por jo edhe kandidati, në 89 ven votime janë hasur parregullsi të llojit ku një kandidat ka më shumë vota sesa subjekti që i takon ndërsa rekomandimi i pestë ka të bëjë me 189 votime  ku të gjithë kandidatët brenda një subjekti kanë më shumë vota sesa vetë subjekti, shkruan Gazeta Sinjali.

Ditë më parë, disa kandidatë për deputetë janë ankuar për manipulim të votave brenda llojit, duke ngritur dyshime se komisionarët kanë favorizuar kandidateve të caktuar të subjekteve politike duke i bartur votat nga njëri tek tjetri.

Kandidatja për deputete e koalicionit AAK-PSD Besa Luzha e cila nuk ka arritur të marr votat e mjaftueshme për deputete është ankuar ditë më parë se në vendvotimin ku personalisht ka votuar, nuk është regjistruar madje as vota e saj. Ndërsa kandidati tjetër Burim Ramadani ka njoftuar se në një vendvotim, ku nuk ishte regjistruar asnjë votë, kanë dalë të kenë votuar 59 veta pas rinumërimit të KQZ-së.

Lidhur me çështjen e përsëritjes së numërimeve, anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi paralajmëroi se ky subjekt do t`i dërgojë  në prokurori të gjitha rastet e vendvotimeve ku ka parregullsi. /Gazeta Sinjali/