image KQZ-ja rishikon buxhetin, i duhen edhe 3.8 milionë euro për zgjedhjet lokale

Politikë

KQZ-ja rishikon buxhetin, i duhen edhe 3.8 milionë euro për zgjedhjet lokale

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar shpenzimet, si dhe rishikimin e buxhetit për këtë vit, shkruan Gazeta Sinjali.

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, tha se janë duke bërë përgatitjet për zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

“Në kuadër të përgaditjeve për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, Sekretariati është në përgaditje të specifikave teknike për furnizime dhe shërbime, të cilat do t’i nënshtrohen procedurave të prokurimit”, tha Ahmetaj.

Sipas të dhënave të KQZ-së, zgjedhjet e mbajtura në muajin shkurt i kushtuan buxhetit të Kosovës 4 milionë e 469 mijë e 764 euro.

Planifikimet për koston e këtyre zgjedhjeve kanë qenë më të madha, ka sqaruar Arianit Elshani, duke shtuar se kishin planifikuar 5 milionë e 578 mijë e 712 euro.

Po ashtu, sipas raporteve të KQZ-së këto zgjedhje kushtuan më pak se ato të vitit 2019, të cilat kishin kushtuar rreth 5.2 milionë euro.

“Janë analizuar periudhat janar-mars mbi koston e shpenzimeve dhe shpenzimet janë mbi 4 milionë euro apo 34% dhe këshilli propozon që të miratohet”, tha Elshani i PDK-së.

Në këtë mbledhje gjithashtu është bërë edhe shqyrtimi dhe miratimi i rishikimit të buxhetit për vitin 2021.

Elshani, tregoi se buxheti aktual i KQZ-së është 7 milionë e 64 mijë dhe në këtë buxhet janë përfshirë edhe zgjedhjet lokale që parashihet të mbahen në tetor.

KQZ-ja ka miratuar edhe kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave, për t’u alokuar një buxhet shtesë prej 3 milionë e 886 mijë e 717 euro.

“Buxheti aktual i KQZ-së është 7 milionë 64 mijë e 436 euro dhe për nevojat që ta përmbyllim këtë vit sukseshëm duhet të bëjmë një kërkesë edhe për 3 milionë e 886 mijë e 717 euro në Ministrinë e Financave për t’i alokuar në kuadër të KQZ-së”, tha Arianit Elshani./Gazeta Sinjali/