image KPA pezullon nga detyra gjyqtarin nga Shqipëria, Ardian Hajdari

Shqipëri

KPA pezullon nga detyra gjyqtarin nga Shqipëria, Ardian Hajdari

news image

Mbledhja e Gjyqtarëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA ka vendosur të hënën më 7 shkurt të pezullojë nga detyra anëtarin Ardian Hajdari.

Ky fakt u bë i ditur të martën në çeljen e seancës publike që ka të bëjë me ankimin e gjyqtares së ish-Gjykatës së Apelit Për Krime të Rënda, Dhurata Haveri kundër vendimit të Komisionit për shkarkimin e saj.

Kryesuesi i trupës së Kolegjit Sokol Çomo sqaroi se seanca nuk mund të vijonte pasi mungonte gjyqtari Ardian Hajdari për shkak të pezullimit të tij nga detyra dhe u vendos shtyrja për më datë 18 shkurt, ora 09:30. Në seancë nuk e bë e ditur arsyeja e pezullimit të Hajdarit nga detyra. Gjyqtari Ardian Hajdari u shpreh për BIRN gjatë një komunikimi në aplikacionin Whatsapp se nuk kishte komente për të përcjellë lidhur me vendimmarrjen e Kolegjit për pezullimin e tij.

Në një njoftim për shtyp KPA shpjegoi se Hajdari është pezulluar pasi është marrë i pandehur nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet, pas Luan Dacit i cili dhe u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut.

Më 24 qershor 2020, Daci dhe Hajdari u kallëzuan penalisht në Prokurorinë e Posaçme, SPAK me pretendimin se kishin gënjyer në aplikimet e tyre për t’u zgjedhur anëtarë të KPA-së përmes “falsifikimit të dokumenteve”. Kallëzimi penal u krye nga tre magjistratë të shkarkuar gjatë vetingut; nga ish-prokurorët Antoneta Sevdari dhe Elsion Sadiku si dhe ish-gjyqtari Ervin Metalla. Daci u akuzua se kishte fshehur shkarkimin nga detyra në vitin 1997 dhe se kishte deklaruar para komisionit Ad Hoc se ishte larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, ndërsa Hajdari për deklaratën se kishte një eksperiencë 17 vjeçare si avokat.

Po ashtu, kallëzuesit pretendonin se dy anëtarët e KPA kishin konsumuar edhe elementët e veprave penale “fshehje e të ardhurave” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Ndërsa hetimi dhe gjykimi ndaj Dacit avancoi përmes një kallëzim tjetër të kryer më parë nga ish-prokurori Besnik Cani, procedimi ndaj Hajdarit mbeti i hapur në SPAK për afro dy vjet, pa emër të pandehuri të regjistruar.

Procesi disiplinor për Luan Dacin në KPA u inicua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, por u pezullua në korrik 2021 nga Ardian Hajdari në cilësinë e gjyqtarit hetues të çështjes, me argumentin se duhej të pritej edhe vendimmarrja e Gjykatës së Lartë, pas kryerjes së rekursit nga i pandehuri.

Pasi Gjykata e Lartë e rrëzoi rekursin e Dacit duke lënë në fuqi vendimin e formës së prerë për dënimin e tij, Hajdari vendosi më 29 tetor 2021 rifillimin e hetimit disiplinor dhe më 9 dhjetor u vendos shkarkimi i tij për shkelje të rëndë disiplinore. /Gazeta Sinjali Sporti/